Presidenti, Ilir Meta, ka bërë përgjegjës mazhorancën dhe faktorin ndërkombëtar në vend lidhur me mungesën e Gjykatës Kushtetuese.

"Nuk mund të pranoj ndërkombëtarë të papërgjegjshëm, që mund të thotë se do të bëhet kështu, dhe do të bëhet ashtu! Si mund të flasin këta kështu?! Ku ndodh në një vend të Bashkimit Europian që të rrijë vendi qoftë edhe një minutë pa Gjykatë Kushtetuese?! Një vend pa Gjykatë Kushtetuese, është një vend pa kushtetutë! Kjo duhet të jetë një gjë e qartë. Nuk mund të na marrin ne për një vend të kategorisë së dhjetë! As në vendin më të prapambetur afrikan nuk mund të thuhen këto gjëra, nëqoftëse ne u japim mirëbesim, edhe u japim këtë rol, atëherë ata këtë rol duhet ta luajnë drejt".

Me vonesa të pajustifikueshme, thotë Meta, u deshën plot dy vite për ngritjen e Këshillit të Emërimeve të Drejtësisë dhe prandaj jemi në këtë situatë që jemi me Gjykatën Kushtetuese.

"Pati interesa për të orientuar një proces drejt emrave dhe drejt kapjes së Gjykatës Kushtetuese apo Inspektorit të Përgjithshëm të Drejtësisë, sepse KED-ja zgjedh edhe Inspektorin e Përgjithshëm të Drejtësisë dhe jo drejt standardeve. Nëqoftëse kishte probleme, unë ua kisha thënë me kohë: ka probleme, i kemi kaluar afatet me Kushtetutë, hajde se i zgjidhim këto gjëra, i rivendosim proceset në afate! Por ne nuk mund të lemë vendin në këtë situatë, sepse kjo situatë është tepër e rrezikshme".

E ndërsa ndërkombëtarët thonë se reforma në drejtësi po jep sukses, po pastrohet sistemi, Meta thotë: Unë jam Presidenti i Shqipërisë, unë nuk jam President ambasadash. Këtë duhet ta keni të qartë dhe nuk fshihem pas ambasadave.

Më poshtë pjesë nga intervista e Metës në emisionin "Përballë" me gazetarin Lutfi Dervishi.

Gazetari: Cilat janë ato raste që ju bëjnë të thoni se nuk po shkohet drejt standardeve, por po shkohet drejt emrave, në një kohë që kjo reformë po bëhet mbi bazën e një, dhe po citoj: “nevoje ulëritëse që kishte për ndryshime në sistem”?”

Presidenti Meta: Nevoja ka qenë ulëritëse. Është akoma edhe më ulëritëse sot, por mjafton t’ju shpjegoj përse ne, sepse në fakt kushdo mund të pyesë sot me të drejtë: Përse Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese?

Në fillim të tetorit, kur ka ardhur Drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Europian për Zgjerimin, zoti Danielson dhe ka filluar të më flasë për sukseset e reformës në drejtësi, i kam thënë: “Patjetër. Tani t’i lemë pak sukseset! Le të shikojmë pak problemet se janë shumë të mëdha! Unë jam Presidenti i Shqipërisë dhe Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese!” Dhe ne kemi probleme, sepse ka probleme, jo vetëm midis opozitës dhe qeverisë. Ka probleme midis parlamentit dhe qeverisë, midis presidentit dhe qeverisë, midis presidentit dhe parlamentit. Ka midis grupeve të interesit, ka midis qytetarëve probleme nga më të ndryshmet. Nuk jap dot përgjigje se kur do të ketë Shqipëria Gjykatë Kushtetuese. Thonë shpesh: Hë se nuk ka më mirë kështu, pa Gjykatë Kushtetuese...!

Unë kam qenë ndoshta i vetmit,që kur kemi diskutuar për çështjen e vettingut, kam thënë: Vetting kudo, por jo pa Gjykatën Kushtetuese, per dy arsye: sepse ka pasur një shqetësim që vërtet mund të vijmë në një situatë të tillë. Nuk e kam menduar kurrë se mund të vijmë deri këtu, por sidoqoftë, qoftë edhe një kufizim më i madh i trupës nga vettingu, do të sillte probleme të mëdha në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

Dhe së dyti, për arsye se Gjykata Kushtetuese në Shqipëri në të kaluarën, ndryshe nga pjesa tjetër e sistemit, ka qenë një gjykatë e cila në tërësi ka mbajtur qëndrime...

Gazetari: ...Ka frenuar ekzekutivin.

Presidenti Meta: ... në interes të publikut, në interes të demokracisë, në interes të qytetarit apo të të drejtave të njeriut edhe në interesin kombëtar. Dhe kjo është vlerësuar edhe nga njëra palë kur ishte në opozita, edhe nga pala tjetër kur kanë ndërruar vendet në Kuvend. Pra kjo ka qenë. Dy gjëra ka pasur Shqipëria: Komisionin e Venecias që të dyja palët gjithmonë e kanë pranuar, e kanë respektuar, po, ndërkombëtar për çështjet e Kushtetutës dhe Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Dhe janë dhënë garancitë që kjo nuk do të ndodhë. Dhe për Gjykatën Kushtetuese nuk kishte asnjë arsye që të ndodhë. Po pse ndodhi, pa hyrë shumë thellë?

Unë kam qenë kryetar i Kuvendit kur është hedhur shorti i parë në dhjetor të vitit 2016 për të zgjedhur anëtarët e KED-së, pra të Komisionit për Emërimet në Drejtësi, që krijohet me përfaqësues të institucioneve të ndryshme, nga Prokuroria, gjykata, etj., etj., të cilët me short, sipas kritereve të përcaktuara në ligje, zgjidhen dhe pastaj këta bëjnë rankimin e kandidatëve për vendet vakante për Gjykatën Kushtetuese, zgjedhjen e Inspektorit të Përgjitshëm, etj., etj. 

E mbaj mend shumë mirë që kam bërë një punë me shumë përgjegjësi, një punë që e ka drejtuar njëra prej këtyre zonjave, e cila sot punon në komisionin e vettingut, ka qenë sekretare e Përgjithshme, në bashkëpunim të ngushtë me EURALIUS-in, me OPDAT-in, me gjithë institucionet e tjera, një punë perfektë do të thosha nga pikëpamja e transparencës. Është hedhur shorti. Në momentin që kanë dalë emrat, ato nuk i pëlqyen kryeministrit.

Reagoi në Facebook që këta nuk janë emrat, të cilët do të bëjnë drejtësinë e re! Pastaj na doli edhe një përfaqësues ndërkombëtar që kjo ka ndodhur kështu se prokurori ka manipuluar këto, ku e di unë, kriteret. Gjë e pavërtetë. Dhe kur u sqarua doli se ishin disinformuar përfaqësues të Partisë Socialiste. Dhe një vit nuk u mblodh më Komisioni i Emërimeve në Drejtësi. Nëqoftëse kishte pasur një shqetësim kryeministri apo kushdo tjetër, apo ndonjë ndërkombëtar për këtë procedurë, mund të kishte ndërhyrë në kohë. Ishte shtyrë mbledhja e KED-së, ishin bërë verifikimet e duhura dhe çështja ishte zgjidhur. Dhe Shqipëria nuk do të ishte këtu ku është. Ka humbur dy vite e gjysmë për këtë çështje.Marrim rastin tjetër...

Gazetari: Kë ngarkoni me përgjegjësi për këtë?

Presidenti Meta: Të paktën për Gjykatën Kushtetuese, më falni, se nuk do të merrem tani me historitë e të gjitha institucioneve të drejtësisë, sepse nuk është jy qëllimi im, por unë kam për detyrë që të them gjëra të vërteta, sepse nuk mund të pranoj ndërkombëtarë të papërgjegjshëm, që mund të thotë se do të bëhet kështu, dhe do të bëhet ashtu! Si mund të flasin këta kështu?! Ku ndodh në një vend të Bashkimit Europian që të rrijë vendi qoftë edhe një minutë pa Gjykatë Kushtetuese?! 

Një vend pa Gjykatë Kushtetuese, është një vend pa kushtetutë! Kjo duhet të jetë një gjë e qartë. Nuk mund të na marrin ne për një vend të kategorisë së dhjetë! As në vendin më të prapambetur afrikan nuk mund të thuhen këto gjëra, nëqoftëse ne u japim mirëbesim, edhe u japim këtë rol, atëherë ata këtë rol duhet ta luajnë drejt, në respekt të parimeve të shtetit të së drejtës që na e kërkojnë, në respekt edhe të rolit që i kemi dhënë, sepse ne e kemi vendosur në Kushtetutë, nuk e kemi vendosur kot që çfarë i pëlqen një pale që thotë ONM-ja, e kualifikon. Çfarë nuk i pëlqen, e kthen prapë. Ky është një proces që duhet marrë shumë më seriozisht nga sa është marrë deri tani.

Dhe të vijmë prapë te rasti tjetër: Bëhem President i Republikës në korrik. Duke e ditur këtë çështje, sepse shorti i KED-së hidhet çdo vit. Duke e ditur këtë gjë, mandatin njëvjeçar, sepse zoti Nishani nuk e di për çfarë arsye si president nuk e hodhi shortin. Nuk e mbaj mend. Pastaj procedura është që bën parlamenti. Por duke i ditur këto probleme dhe duke qenë i shqetësuar për këtë gjë, i kërkoj zyrtarisht ambasadores së BE-së dhe i them zyrtarisht që të takohemi dhe të bisedojmë për këtë çështje.

 Sepse unë jam president, duhet të hedh shortin dhe dua të shmang çdo lloj kontestimi që hedhjes së shortit pas shortit, që jo u zbatuan kriteret, jo nuk u zbatuan kriteret! Sepse nuk shkon që Presidenti i Republikës të bëjë këtë procedurë dhe të kontestohet si proces. Takohemi, biem dakord me EURALIUS-in. EURALIUS-i bie dakord me grupin e këshilltarëve të mi në një takim informal, pa media, në mënyrë që ne të unifikojmë qëndrimin mbi kriteret e të gjitha institucioneve. Të shmangnim ato gjëra që ndodhën herën e parë.

Një ditë përpara se të ndodhte ai takim, ku normalisht do të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e tjerë të institucioneve të pavarura, përfshirë edhe nga parlamenti, EURALIUS-i i çon zyrës së këshilltarëve të mi ligjorë që ne nuk marrim dot pjesë nesër në këtë takim! Atëherë u detyrova që të mos e bëja takimin, sepse unë nuk do të bëja takim për të menaxhuar debatet apo interesat e ndryshme.

 Unë e doja EURALIUS-in aty sepse ne prandaj i kemi këta këtu. Sepse prandaj BE-ja i paguan që të na japin mendimin e tyre të pavarur e të paanshëm, pavarësisht se çfarë mendon secila palë: qeveria apo opozita, presidenti apo kuvendi, bazuar në ndryshimet kushtetuese që kemi bërë, më shtatë ligjet që kemi bërë, apo me çdo gjë tjetër. Në atë moment u detyrova dhe ia kalova kryetarit të Kuvendit menjëherë, duke ia bërë të qartë se jemi në një situatë ekstra ligjore. sepse kishin kaluar shumë afate dhe kishim shumë probleme. Parlamenti e ka miratuar reformën dhe parlamenti është institucioni kryesor që mund të bëjë edhe interpretimin, sepse ka edhe komision ligjesh, ka byro parlamentare, ka shumë instrumente.

Ju lutem ndiqeni këtë çështje që të ecë sa më parë! Kuvendi e bëri si e bëri, sepse nuk po u hyj këtyre komenteve. Prapë dalin emrat. Prapë nuk pëlqehen emrat. Prapë goditen emrat publikisht. Dhe nuk mblidhet më. Mblidhet vetëm njëherë KED-ja dhe nuk mblidhet më. Kështu ikën dy vite me Këshillin e Emërimeve të Drejtësisë dhe prandaj jemi në këtë situatë që jemi me Gjykatën Kushtetuese.

 Sepse pati interesa për të orientuar një proces drejt emrave dhe drejt kapjes së Gjykatës Kushtetuese apo Inspektorit të Përgjithshëm të Drejtësisë, sepse KED-ja zgjedh edhe Inspektorin e Përgjithshëm të Drejtësisë dhe jo drejt standardeve. Nëqoftëse kishte probleme, unë ua kisha thënë me kohë: ka probleme, i kemi kaluar afatet me Kushtetutë, hajde se i zgjidhim këto gjëra, i rivendosim proceset në afate! Por ne nuk mund të lemë vendin në këtë situatë, sepse kjo situatë është tepër e rrezikshme, e cila rrezikon të gjitha garancitë demokratike. Jo vetëm të opozitës apo të grupeve të interesit, por të çdo qytetari.

Gazetari: Ekspozeja që po bëni është e qartë.

Presidenti Meta: S’është e qartë, është e rëndë.

Gazetari: Nëse i vë përballë deklaratat e ndërkombëtarëve që thonë, reforma po jep sukses, këto po pastrohen, është një tablo krejt tjetër…

Presidenti Meta: Unë jam Presidenti i Shqipërisë, unë nuk jam President ambasadash. Këtë duhet ta keni të qartë dhe nuk fshihem pas ambasadave.

Gazetari: Nuk e kam thjesht fjalën për ambasadat, por deklarata nga Brukseli, Uashingtoni..

Presidenti Meta: Të vijnë nga gjithë bota deklaratat. Unë të vërtetës i them ‘e vërtetë’ dhe ky vend duhet të shohë se çfarë i thotë Kushtetuta e tij, të shikojë ligjet e tij. Ndryshe nuk do të bëhet asnjëherë një shtet serioz, në radhë të parë për qytetarët e vetë dhe më pas ta marrin dhe të huajt seriozisht. Nëse del një ambasador dhe thotë – “Gjykata Kushtetuese ka aftësi korrektuese.”

Si paska aftësi korrektuese? Pse redaktorë janë ata? Ata kanë fuqinë supreme për të zgjidhur çdo konflikt kushtetues midis çdo lloj institucioni në këtë vend. Janë fjala e fundit. Janë Kushtetuta e Shqipërisë në vendimmarrje. Këto janë gjëra që ne ua kemi lejuar dhe ata dhe për shkak të mosnjohjes dhe për shkak se familjarizohen me ne këtu dalin e bëjnë qëndrime të tilla dhe më shumë ndonjëherë krijojnë kaos se sa ndihmojnë mbi një proces serioz.

I kam thënë zotit Danielson që në fillim të tetorit – “Po u vazhdua kështu do të kemi probleme serioze. Të lutem, Komisioni Europian duhet të sjellë ekspertë nga Brukseli për të parë se si është zbatuar reforma në drejtësi, që nga ndryshimet kushtetuese që janë bërë, sepse aty është reforma, dhe deri tek gjithë zbatimi i saj, sepse BE-ja ka investuar kredibilitetin e vetë, por njëkohësisht investon gjithë këto para, taksapaguesit europianë dhe këtë e bëjnë për një drejtësi të pavarur, për një drejtësi me standarde dhe të vërtetë në Shqipëri.

 Po u bë kjo gjë, kjo na ndihmon të hyjmë më shpejt në BE. Unë këtë ua thashë, sepse edhe mos ua thoja për të sqaruar që përpjekjet e mia kanë qenë të qartë se nëqoftëse akumulohet një tension, një konflikt, nëqoftëse sjelljet e njëanshme dominojnë çdo institucion, natyrisht që në situata të tilla do të vihet.

/Ora News.tv/