Presidenti Ilir Meta u është përgjigjur shumë kritikëve rreth toneve të tij të ashpra ndaj mazhorancës.

Ai bëri deklaratën e fortë, duke u shprehur se  për hir të interesave shtetërore nuk ka denoncuar në publik as 10% të krimeve që kanë ndodhur kundër sovranitetit të popullit dhe kundër reformës në drejtësi.

Ilir Meta: Shumë prej jush mund të kenë pasur ndonjëherë vërejtje për tonin tim. E di, por duhet të dini që në publik për hir të disa interesave shtetërore nuk kam treguar as 10% të krimeve që kanë ndodhur kundër sovranitetit tuaj dhe kundër reformës në drejtësi. Prandaj dua t'ju siguroj se kjo pranverë kuqezi nuk ndalet më deri në rivendosjen e plotë të sovranitetit tuaj të rendit kushtetues demokratik dhe llogaridhënës në Shqipëri. Tani kam një lutje për të gjithë ju, e gjithë bota demokratike, gjithë partnerët me integritet që kanë respekt për popullin tonë dhe nuk mund të ketë askush respekt për popullin tonë në rast se dhunon apo ndihmon këtë sekt të dhunojë Kushtetutën tonë. Se kjo Kushtetutë është miratuar nga populli shqiptar dhe në ndryshimet e fundit kushtetuese u votua me 140 vota. Kjo është Kushtetuta e popullit të Shqipërisë, Kushtetuta që bën Amerikën, bën Europën dhe do ta mbrojmë edhe me jetën tonë. Lutja e fundit, mos i jepni alibi puçistëve. Asnjë mimozë mos hidhni te institucionet, dhurojauni policëve tanë kudo që ti takoni. Nga sot në të vetmin institucion kuqezi që jemi këtu, nis marshimi i popullit kuqezi për të rivendosur sovrantetin e tij dhe për ti pasur shumë shpejt institucionet në këtë bulevard dhe gjithë Shqipërinë kuqezi. Zëri i popullit, zëri i Zotit.



/Ora News.tv/