"Feja nuk duhet përdorur kurrë në shërbim të ideve dhe qëllimeve të dhunshme".  Këtë mesazh përcolli kreu i shtetit  Ilir Meta në darkën zyrtare që familja presidenciale shtroi në nder të Patriakut të Moskës dhe Gjithë Rusisë, Shenjtërisë  së Tij Kirill me rastin e vizitës historike në vendin tonë.

Meta tha se besimet kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm për një ndërtuar një paqe të qëndrueshme dhe universale mes popujve dhe kombeve.

Meta: Jetojmë në kohë të vështira të përmbysjeve sociale dhe të transformimeve të vrullshme të teknologjisë dhe komunikimit, të cilat sfidojnë çdo ditë individin, familjen, shoqëritë, qeveritë, shtetet dhe institucionet fetare.Gjuha e urrejtjes, e dhunës, veprimet intolerante, shfaqjet e diskriminimit e paragjykimet fetare e etnike, terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, konfliktet dhe luftërat me pasoja të rënda humanitare janë sot rreziku më i madh për njerëzimin.Fetë dhe besimet kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm për një ndërtuar një paqe të qëndrueshme dhe universale mes popujve dhe kombeve.Feja nuk duhet përdorur kurrë në shërbim të ideve dhe qëllimeve të dhunshme.  Ajo duhet t’i shërbejë gjithmonë paqes, dashurisë, solidaritetit dhe harmonisë.Sepse siç na mësojnë edhe librat e shenjtë, Zoti është paqja e jo dhuna!

Presidenti nënvizoi ndër të tjera se harmonia, respekti i ndërsjellë, toleranca, mirëkuptimi, vlerësimi reciprok dhe solidariteti janë tiparet e raporteve mes besimeve fetare në Shqipëri si dhe thesari më i çmuar i trashëgimisë sonë historike dhe kombëtare.

Meta: Dëshiroj të përcjell për të gjithë prijësit e bashkësive fetare këtu, mirënjohjen dhe admirimin e thellë për misionin fisnik e hyjnor, në funksion të përhapjes së fjalëve të Zotit dhe mësimeve të shenjta!Me shumë sakrifica dhe mund, ju ringjallët dhe lartësuat besimin nga hiri dhe rrënojat e diktaturës, për të çuar kudo e ndërmjet të gjithëve, pajtim, vëllazërim e përbashkim, duke mjekuar e shëruar plagët sociale në dobi të paqes e të një shoqërie më të mirë, e më të begatë.

Ndërsa Patriarku i Moskës dhe Gjithë Rusisë, vuri në dukje marrëdhëniet e mira mes kishave ortodokse të dy shteteve, por edhe ato mes besimeve fetare dhe shtetit në Shqipëri.

Kirill: Kjo është vizita e parë në histori e Primatit të Kishës Orthodhokse Ruse në Shqipëri. Megjithatë, Kishat Orthodhokse të Rusisë dhe Shqipërisë kanë tradita shumëvjeçare të marrëdhënieve më të mira. Kishat tona jo vetëm ndajnë besimin e përbashkët dhe kanë përjetuar përvoja të ngjashme të persekutimeve të ashpra në shekullin XX, por gjithashtu mbajnë qëndrime të përbashkëta për sa u përket çështjeve kryesore të ditëve të sotme, duke demonstruar unitetin e Orthodhoksisë. Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas mbetet gjithmonë një mik i dashur dhe i shtrenjtë në Rusi.

Ringritja e jetës fetare në Shqipëri po jep fryte të mira dhe të çmuara për të gjithë shoqërinë shqiptare. Epoka e ateizmit të dhunshëm dhe përndjekjeve masive kundër fesë nuk arriti ta thyente shpirtin e popujve tanë, të cilët edhe sot e kësaj dite po i tregojnë të gjithë botës përkushtimin e tyre të përbashkët ndaj vlerave tradicionale, si edhe bashkëjetesën fetare.

Më vjen mirë të vë në dukje nivelin e lartë të marrëdhënieve ndërmjet kishës dhe shtetit në Shqipëri, ku jo vetëm Kisha Orthodhokse, po edhe komunitete të tjera fetare janë partnerë të besueshëm të shtetit në kauzën për forcimin e moralit në shoqëri. Ky është parakushti i harmonisë mes njerëzve dhe mes grupeve të ndryshme shoqërore.

Në darkë ishin të pranishëm edhe Kryepeshkopi Anastas, peshkopë të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, krerë të bashkësive fetare në Shqipëri, Nunci Apostolik Imzot Brown, Ambasadori i Federatës Ruse Karpushin, krerë institucionesh etj.

 

/Ora News.tv/