Në sesionin e dytë  Dytë Plenar të  Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe, presidenti Ilir Meta duke folur për sfidat integruese të vendit ndër të tjera,  deklaroi se Shqipëria mund të merret si një model unikal në botë për tolerancë fetare.

Meta: Shqipëria ka një meritë të pamohueshme historike në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e vlerave më sublime të tolerancës dhe të paqes.

Ne jemi një vend model dhe unikal në botë për tolerancën, harmoninë dhe bashkëjetesën fetare në mënyrë të veçantë. Është e vështirë të gjendet një vend në botë, ku pjesëtarët e së njëjtës familje mund t’u përkasin besimeve të ndryshme, ku xhamia dhe kisha ndahen nga një rrugë e vetme, dhe ku komshinjtë myslimanë dhe të krishterë urojnë dhe festojnë së bashku Bajramin dhe Krishlindjet.

Historikisht, edhe pse Shqipëria ka vuajtur nga luftrat e padrejta, nga pushtimet e pamëshirshme apo regjimet, gjithmonë ka gjetur forcën për të kultivuar, për të përqafuar paqen apo për të demonstruar tolerancë.

Në Ballkanin e zanafillës së Luftës së Parë Botërore dhe konflikteve të përgjakura të viteve 90-të, Shqipëria dhe shqiptarët kanë kontribuar si rrallë kush me vetmohim për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit.

Sfida e përbashkët e Ballkanit Perëndimor është ajo e integrimit të plotë në BE, e cila na dikton të gjithëve që ‘me përvojat e së kaluarës të shohim drejt së ardhmes’ në mënyrë që të evitojmë pasojat e së shkuarës.

Ne e dimë më mirë se kushdo, se paqja është më e vështirë për t’u fituar e për t’u ruajtur se sa lufta.

Ne shpresojmë dhe punojmë shumë që edhe Ballkani të përparojë drejt një epokë të re, të prespektivës europiane, pa konflikte dhe pa çështje të hapura.

Shqipëria është një kontribuese e palodhur për paqen dhe bashkëpunimin dhe për politikën e fqinjësisë së mirë në rajonin tonë.

Shqipëria luan rolin e saj konstruktiv në nxitjen e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sepse ne besojmë se arritja e një marrëveshje të qëndrueshme, e cila kërkon mbylljen e të gjitha ‘plagëve të vjetra’ do të garantonte një perspektivë europiane jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por do të forconte të gjithë perspektivën europiane të rajonit tonë.

Nga ana tjetër, ne inkurajojmë zhvillimet pozitive që do të çojnë drejt zbatimit të ‘Marrëveshjes për Emrin’ mes Greqisë dhe Maqedonisë.

Finalizmi me sukses i këtyre dy marrëveshjeve është një garanci mjaft e fortë për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë, por dhe të vetë Europës.

E ardhmja në paqe, në tolerancë dhe në bashkëpunim në rajonin tonë, qëndron në mësimin se të gjitha kombet tona në këtë rajon, në çdo shtet, janë diku shumicë dhe pakicë.

Dhe e vetmja rrugë për një bashkëjetesë të qëndrueshme e të përhershme, është përdorimi i standardeve të njëjta të respektimit të minoriteteve nga të gjithë ne.

Në të njëjtën linjë ishte dhe Kreu i Kuvendit Garamoz Ruçi, i cili deklaroi se Shqipëria u kontribuon qytetërimeve të sotme me asetin e saj më të çmuar: tolerancën dhe bashkëjetesën etnike e fetare.

Gramoz Ruçi: Mozaiku i kulturave dhe vlerave tona mund të avancojë në ekonomi të forta, në zhvillim të qëndrueshëm dhe sistem solidar. Le të përkushtohemi të gjithë për ndërtimin e tyre për shërbimin dhe begatinë e popujve tanë.

Në sesion morën pjesë  kryeparlamentarët e vendeve të ndryshme evropiane dhe me gjerë, të cilët  nënvizuan kontributin e Shqipërisë në stabilitetin në rajon  dhe vunë në dukje se modeli shqiptar i bashkëjetesës e tolerancës fetare dhe etnike duhet dhe mund të shërbejë si një model.


/Ora News.tv/