Para mijërave qytetarëve të mbledhurnë bulevardin "Dëshmorët e Kombit" me flamuj kuqezi në duar,  presidenti Ilir Meta u parashtroi atyre arsyet se pse i ka thirrur që ti bashkohen në aleancën kundër grushtit të shtetit.

Ai denoncoi aferat e mazhorancës jo vetëm me shkeljen e Kushtetutës dhe kapjen e institucioneve të drejtësisë, por edhe grabitjen e pasurive të vendit me PPP.

Ilir Meta: Presidenti i popullit kuqezi ulet në gjunjë vetëm para flamurit kuqezi dhe popullit kuqezi, para popullit të shqiponjave. Ta dëgjojnë mirë pucistët vendas dhe organizata ndërkombëtare mafioze që kërkojnë të shkatërrojnë  sovranitetin dhe Kushtetutën tuaj. Neni 2 i Kushtetutës që ju votuat në referendum në 22 nëntor 1998 thotë: Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket vetëm popullit. Ndaj ju kam ftuar jo si Ilir Meta por si Presidenti juaj, i vetmi institucion legjitim që ka mbetur në këtë shtet për të dëgjuar zërin tuaj sepse kur institucionet bien, ngrihet populli. Dhe populli nuk futet në xhep si paratë e oligarkëve. Jemi këtu sepse Shqipëria e sotme është ndarë në dy botë antagoniste, në botën e popullit kuqezi dhe në grupin që përfaqëson një botë të vogël, të errët, meskine, egoiste dhe tradhëtare të puçistëve dhe oligarkëve që si shushunja pinë çdo ditë gjakun e popullin me koncesionet e tmerrshme të PPP. 

A jemi sot vendi i parë për ndonjë gjë në botë? Po jemi vendi i parë në botë për kostot e autostradave për km, i kemi më të shtrenjta se vendet e zhvilluara të botës.Unë si President i kam rrëzuar publikisht këto dekrete të arsyetuara mbi Kushtetutë dhe ligjërisht, dekretet për koncesionet që kanë si qëllim grabitjen dhe jo zhvillimin e Shqipërisë. Ata tani kërkojnë edhe rrëmbimin në mënyrë mafioze dhe antikushtetuese të Gjykatës Kushtetuese që oligarkët dhe klanet e tyre të përfitojnë sa më shumë dhe krimet e tyre kushtetuese të mbeten të pagjykuara dhe të pandëshkuara. Jemi sot këtu sepse asnjë nga ne nuk mund ti qëndrojë anash grushtit të shtetit, jemi këtu sot për tu vendosur përballë me nisjen e pranverës kuqezi unë si president i Republikës dhe ushtar i parë i Republikës dhe gjithë populli kuqezi kundër grushtit të shtetit. Pse Presidenti thirri popullin? Sepse i shteroi të gjitha përpjekjet institucionale dhe demokratike për të parandaluar kapjen e shtetit dhe sidomos grushtin e shtetit. Presidenti ka thirrur popullin sepse pasuria kombëtare që po vidhet çdo ditë është ajo çka Zoti u ka dhënë gjithë shqiptarëve. Sistemi i drejtësisë është kapur për fyti nga sekti antishtet.

Sepse kemi drejtësi me regji që godet të varfrit, të pambrojturit dhe të ndershmit dhe garanton paprekshmërinë e klaneve pranë sektit që ka zaptuar shtetit. Financat publike po shterojnë dhe borxhet po rriten në mënyrë katastrofike dhe ato i paguani të gjithë ju në mënyrë të padrejtë. Skandalet që denoncon KLSH prej miliarda eurosh bien në vesh të shurdhër edhe për qeverinë, edhe për Kuvendin, por edhe për drejtësinë që fle. Ekonomia e shumicës dërmuese të shqiptarëve është në ditët më të errëta sepse oligarkët kontrollojnë parlamentin njëpartiak dhe bëjnë krime të rënda kushtetuese si ai mbi dividentin që denoncova dje. 

Një krim i rëndë që ka përmbysur një nga parimet bazë të Kushtetutës, atë të barazisë. Ata miratuan një ligj për të favorizuar në mënyrën më antikushtetuese dhe mafioze oligarkët dhe klanet e tyre. Shkelën nenin 155 të Kushtetutës. Ata bënë një ligj kriminal, një akt i paprecedent përmbysës në 30 vite të parimit kushtetues të barazisë dhe shtetit të së drejtës, u bë me efekt prapaveprues vetëm për oligarkët që qeveria i kishte njoftuar vite më parë që të mos paguanin tatim për fitimet e tyre derisa ky sekt të miratonte këtë ligj antikushtetues që i favorizonte. Mazhoranca në mënyrë mafioze rrëzoi brenda natës pa prezencën e Presidentit dhe opozitës që atë ditë ishte në parlament dekretin e Presidentit. A mund të jetë ky parlamenti juaj? (Jo përgjigjet turma)A mund që një investitor i huaj dhe vendas të besojë te sundimi i Kushtetutës dhe ligjit në vend? A mund të mbijetojnë bizneset e vogla të ndershme që po falimentojnë?Oligarkët kanë blerë shtetin dhe qeverinë.

/Ora News.tv/