I pyetur nga gazetarët për deklaratat e kryebashkiakut Erion Veliaj për kthimin në kuvend të ligjit të Teatrit,  Kreu i Shtetit shmangu replikën direkte ndërsa referoi vendimin me 9 argumente si përgigje për çdo kritik.

Pyetje: Zoti President, pas mosdekretimit të ligjit mbi teatrin, ka ardhur reagimi i disahershëm i kryebashkiakut Veliaj. Ai thotë se pas dyzet ditësh mazhoranca do ta rivotojë këtë ligj. A keni një koment?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë koment, përveç faktit se cilido që ka kontestime apo vërejtje për kthimin e ligjit, e ftoj që t’i referohet gjithmonë faqes zyrtare të Presidentit të Republikës, pasi jam i sigurt që argumentet, të cilat janë dhënë nga Institucioni i Presidentit, bazohen vetëm në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në marrëveshjet ndërkombëtare ku ne jemi palë dhe të cilat janë të detyrueshme për t’u zbatuar, dhe padyshim në të gjithë legjislacionin tonë në fuqi, dhe gjithmonë duke vënë në plan të parë interesin tonë kombëtar dhe publik.

Kreu i Shtetit nga ana tjetër shprehu keqardhje se dy muaj pas vendimit e këshillit të Ministratave të Jashtëm të BE për negociatat ende nuk ka vullnet të përbashkët për të lexuar në mënyrë objective kërkesat, në mënyrë që siç u shpreh ai mos të kërkojnë përsëri fajtorë qershorin e ardhshëm për çdo dështim në të ardhmen.

Meta ishte në Bashkinë e Pustecit ku përshëndeti Festën lokale të Shën Marenës.

/Ora News.tv/