Në kulmin e debatit për korrigjimin e kufijve të Kosovës, Presidenti Ilir Meta ka vizituar Rugovën. Kreu i Shtetit ka evituar përfshirjen në debatin që ka shkaktuar deklarata të ashpra mes Presidentit Hashim Thaçit dhe ish-Kryeministrit Berisha dhe e ka shfrytëzuar këtë vizitë për të ftuar shtetasit kosovarë të pushojnë në Shqipëri.

Meta: I ftoj shqiptarët e Rugovës e Kosovës që në këtë periudhë të vizitojnë Shqipërinë për më shumë det, dhe ne nga Shqipëria, të vijmë këtu në mal, në këto bjeshkë të mrekullueshme. Kështu turizmi do të zhvillohet në mënyrë të pandërprerë, por edhe lidhjet tona do të jenë akoma edhe më të forta.

Presidenti Meta tha qeveritë e të dyja vendeve duhet të angazhohen për të krijuar më shumë mundësi punësimi për të rinjtë shqiptarë, të cilët po emigrojnë për kushte më të mira jetese

Meta: Duhet ta shohin të ardhmen e tyre në këto troje, në këto alpe. Sepse ne e dimë shumë mirë që as Austria, dhe as Zvicra nuk i kanë alpet më të bukura se ne! Por ne duhet të punojmë më shumë që të rinjtë tanë të punojnë këtu dhe këtë bukuri, që natyra u ka dhënë këtyre trojeve, me punën e edukimin e tyre, ta kthejnë në mirëqenie për të gjithë! Urime dhe suksese!” – u shpreh Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Ndryshe nga vitet e kaluara këtë vit shtetasit kosovarë nuk e kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion për të kaluar pushimet e verës. Sipas INSTAT, fluksi i vizitorëve nga Evropa Perëndimore po zëvendëson pushuesit tradicionale nga Kosova. Rezulton se fluksi i vizitoreve të huaj u rrit me 9,1 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 por turistët nga Kosova vijuan trendin rënës me 0.4% në krahasim me një vit më parë.

/Ora News.tv/