Presidenti Ilir Meta përsërit qëndrimin e tij se shembja e Teatrit Kombëtar është një akt barbar i paamnistueshëm.  Këtë fakt kreu i shtetit e arsyeton edhe me qëndrimet e ekspertëve dhe specialistëve.

"U jam shumë mirënjohës të gjithë specialistëve dhe ekspertëve, si Akademiku Emin Riza, të cilët me profesionalizëm, përkushtim por veçanërisht me dashurinë e pasionin e tyre për kulturën tonë kombëtare dhe trashëgiminë e pazëvendësueshme vazhdojnë të provojnë çdo ditë se shkatërrimi i Teatrit Kombëtar është një akt barbar dhe i programuar shkombëtarizues! Prandaj është i paamnistueshëm përgjithmonë!", shkruan Ilir Meta në Facebook.

Në një tjetër reagim, kreu i shtetit thotë se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit fitoi një kauzë edhe më të madhe duke i ndihmuar të gjithë shqiptarët të zgjohen.

"Ajo që ndodhi në errësirën e 17 majit nuk do të amnistohet kurrë! Ndërgjegjja shoqërore dhe kombëtare u lëndua si kurrë më parë. Maska e tiranisë ra përpara të gjithë shqiptarëve dhe e gjithë bota e vërtetë demokratike u shokua. Kurrë një ngjarje nga Shqipëria s'do prodhonte një jehonë të tillë dhe negative, që nuk shlyhet më dhe as harrohet derisa mbi rrënojat e 17 Majit të vendoset Drejtësia. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk humbi, por fitoi një kauzë edhe më të madhe duke i ndihmuar të gjithë shqiptarët e përgjumur për t'u zgjuar e bashkuar para se Tirania t'i shembë secilit shtëpinë e tij si banorëve të Unazës së Re. Të gjithë shqiptarët e ndershëm u ndjenë të dhunuar pabesisht dhe poshtërsisht pasi Teatri ishte tempulli i tyre i përbashkët. Të gjithe u ndjenë edhe në faj e borxh për heronjtë dhe heroinat që e mbrojtën atë për dy vjet e gjysmë me sakrifica të patreguara dhe nën presione të gjithanshme. Tani kauza e tyre është e të gjithëve ne, dhe nuk do të ndalojë deri në shembjen e Tiranisë dhe Rindërtimin e Teatrit. Mirënjohje të përjetshme artistëve të cilët zgjuan qytetarinë. Një popull që fle në demokraci zgjohet në diktaturë. A nuk u zgjuam në diktaturë në mes të errësirës në 17 maj?"

Kreu i Shtetit po ashtu mbështet një hetim ndërkombëtar për shkatërrimin, që sipas tij është antikushtetues, i paligjshëm dhe në mënyrën më antieuropiane të Teatrit Kombëtar.

Ai ka shprehur gatishmërinë të bashkëpunoj me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, si dhe me çdo institucion europian dhe ndërkombëtar për Kulturën.

/Ora News.tv/