Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar sërish për çështjen e Teatrit Kombëtar. Kreu i Shtetit, ka postuar në Facebook, intervistën ekskluzive për emisionin "Tempora" në RTV Ora, të Paolo Vitti, pjesëtar i Europa Nostra.

Sipas Presidentit Meta "Europa nuk është thjesht euro, por në radhë të parë kulturë, vizion dhe trashëgimi kulturore!"

Çfarë tha Paolo Vitti për "Tempora"

"Cila është rëndësia e kësaj ndërtese? E shoh në disa plane. Sigurisht nisim me rëndësinë e faktit se përbën projektin e parë të një plani më të gjerë urbanistiko - arkitektonik që është realizuar nga Brazini, si pjesë e një kompleksi që në aks të tij ka edhe sheshin Skëndërbej dhe atë Nënë Tereza  e që në tërësinë e tij ruan një harmoni të plotë me projekte të tjera të po së njëjtës frymë. Shembja e Teatrit do të cënonte harmoninë e një kompleksi unik në llojin e tij dhe që përbën një pjesë të rëndësishme të historisë urbanistike të Tiranës.

Elementi i dytë është arkitektura. Ajo është kuptimplotë dhe e para brenda një sistemi arkitekturor që krijohet në një periudhë shumë të rëndësishme për arkitekturën, kalimi nga stili historik në atë modern. Teatri Kombëtar është shembulli i parë në Shqipëri i arkitekturës moderne, pra asaj racionaliste. I ndërtuar në vitet 38 dhe 39 ai përfaqëson shembullin e  parë të kësaj arkitekture që në thelb do të thotë hapi i parë që lidh Shqipërinë me Europën. Pra po flasim për një vlerë të pamohueshme, që përfaqëson një etapë të rëndësishme.

Më pas ka edhe faktorë të tjerë, si për shembull struktura e ndërtimit. E jashtëzakonshme. Pavarësisht se struktura arkitektonike ka pësuar dëmtime me kohën, mbetet dëshmitare e një projekti të veçantë arkitektonik. Por dua të them edhe diçka të rëndësishme, në shpesh e kemi parë veten të përfshirë në nevojën për të ndryshuar qytetet tona. Këto veprime kanë krijuar progres, por shumë herë jemi keqardhur për prishjen e godinave dhe ndërtesave që më vonë kemi kuptuar se kanë vlera të jashtëzakonshme, unike. Por çfarë do themi pas 20 apo 30 vjetesh ne studiuesit e historisë së arkitekturës kur dëshmitë t’i kemi zhdukur?"

/Ora News.tv/