Meta për protestën në Uashington: Përkrahja e tyre më shumëfishoi forcat

Presidenti, Ilir Meta, ka përshëndetur protestën e një dite më parë të mbajtur në Uashington nga diaspora shqiptare në SHBA.

Përmes një postimi në facebook, Meta shkruan: "Mirënjohje të gjithë shqiptarëve të mbledhur dje në Uashington DC para Shtëpisë së Bardhë, të cilët lanë punët e tyre dhe i bashkoi shqetësimi për të ardhmen e Shqipërisë, duke konfirmuar aleancën e pathyeshme të kombit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës".

Përkrahja e tyre, thotë Meta,  më shumëfishoi forcat, ndaj si President i Republikës kam besim tek komuniteti i ndershëm shqiptaro-amerikan, për të mbrojtur dhe forcuar së bashku këtë aleancë strategjike.

"Shqiptarët qëndrojnë të fortë dhe të vendosur, jo për të marrë një vizë amerikane, por për të mbrojtur idealet amerikane të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, që janë jo vetëm idealet e SHBA, por edhe të qytetërimit botëror ku ne bëjmë pjesë".

Presidenti Meta shprehet i vendosur kur thotë se Shqipëria nuk do të kthehet kurrë më në “one-party state”!

"Ne jemi anëtarë të NATO-s dhe në zemër të kësaj Aleance është demokracia" përfundon Meta.

Disa dhjetëra shqiptarë të Amerikës u mblodhën të dielën në mesditë përpara Shtëpisë së Bardhë për të protestuar kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama dhe asaj që ata e quajnë ndërhyrje e miliarderit George Soros në punët e Shqipërisë. 

Ata iu drejtuan Presidentit amerikan Donald Trump me lutjen që të tregojë vemendje për atë që po ndodh në Shqipëri.


EMISIONET