Meta pret diplomatët e BE-së: Reagimi destruktiv i qeverisë, provokoi tension shoqëror dhe politik

Kreu i Shtetit, Ilir  Meta, priti sot në një takim pune në Presidencë Ambasadorët e të gjithave vendeve të Bashkimit Europian, të akredituar në Tiranë, si dhe Ambasadorin e Delegacionit të BE-së, Luigi Soreca.

Në një njoftim për mediat zyra për shtyp e Presidencës thotë se Meta i falenderoi diplomatët për asistencën që BE dhe vendet anëtare kanë dhënë për Shqipërinë për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.

Kreu i Shtetit ripërsëriti mirënjohjen për vendimin e Këshillit Europian të 25 marsit për çeljen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Presidenti Meta i njohu Ambasadorët me platformën e tij të datës 8 prill 2020, të propozuar të dyja palëve, me qëllim arritjen e një emëruesi të përbashkët në dobi të përshpejtimit të nisjes së negociatave të anëtarësimit me BE-në.

Presidenti Meta shprehu keqardhjen për reagimin destruktiv të qeverisë me provokimin e panevojshme të tensionit shoqëror dhe politik në vend.

Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu shqetësimin se shkatërrimi i dhunshëm dhe i paligjshëm i ndërtesës së Teatrit Kombëtar dhe sjellja shproporcionale e policisë ndaj qytetarëve, që tronditën jo vetëm opinionin publik vendas por nxitën dhe një zinxhir reagimesh të miqve ndërkombëtarë të Shqipërisë, kanë shkaktuar një dëm të pamerituar ndaj procesit të integrimit europian të vendit.

Presidenti Meta vuri në dukje rëndësinë që ka përfundimi sa më parë i reformës zgjedhore në Këshillin Politik dhe miratimi i saj në Parlament, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, edhe pse në kushtet e thyerjes së mëtejshme të besimit ndërmjet palëve.

Kreu i Shtetit përsëriti thirrjen për çdo aktor institucional për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në detyrimet që ka për zbatimin e secilit prej 15 prioriteteve të BE që kushtëzojnë procesin e negociatave të anëtarësimit.


EMISIONET