Pushimet kanë mbaruar dhe politika ka nisur të bëjë lëvizjet për zgjidhjen e krizës politike e mbetur ende pa zgjidhje.

Në një kohë kur ndërkombëtarët kanë rifilluar negociatat me palët, presidenti Ilir Meta ka ripërsëritur apelin për zgjidhjen e krizës, kësaj herë duke ofruar shembullin e Kosovës.

Nëpërmjet zgjedhjeve të 13 tetorit, sipas Kreut të Shtetit, do të shmangej përshkallëzimi i situatës në vend, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin.

Ilir Meta: “Nëse politikanët vendas e kanë të pamundur të mësojnë nga vendet me përvojë të konsoliduar demokratike se si zgjidhen krizat, kanë rastin të mesojnë nga një shtet i ri si Kosova se si u jepet mundësia qytetarëve të thonë fjalën e tyre përmes zgjedhjeve të parakohshme për të ardhmen e institucioneve qeverisëse.”

Meta e bëri këtë deklaratë gjatë takimit me zëvendëskryetaren e grupit parlamentar të CDU/CSU, deputeten gjermane Katja Leikert.

Një ditë më parë ky delegacion u prit edhe nga kreu i PD-së Lulzim Basha e kryeministri Edi Rama.

Presidenti theksoi se nëse do të ishin dëgjuar në kohë sugjerimet e drejtuesve të lartë të CDU, gjendja sot do të ishte krejt e ndryshme.

Më herët, Kreu i Shtetit priti në një takim edhe ish-ambasadorin e Austrisë, Johann Sattler, i cili ka përmbyllur mandatin e tij në vendin tonë.


/Ora News.tv/