Presidenti Ilir Meta shoqëruar nga kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami dhe deputetë të zonës, kanë përuruar rrugën e re të fshatit Kolonjë të këtij rrethi.

Gjatë kësaj vizite, Meta vlerësoi Baba Fetah Xhelajn (pas vdekjes) me Titullin “Naim Frashëri”, “Për kontributin si mëmëdhetar dhe udhëheqës i shquar fetar i cili, krahas besimit tek Zoti, e frymëzoi popullin me idealin e lirisë. Në vlerësim të veprimtarisë patriotike për përhapjen e gjuhës e kulturës shqipe, si dhe në organizimin e luftës kundër pushtuesve të vendit”.

Presidenti i Republikës dhe autoritet vendore e qendrore ndoqën një koncert me këngë polifonike karakteristike të zonës me rastin e festës tradicionale të 10 majit.

Duke iu drejtuar të pranishmëve të shumtë, mes të cilëve edhe Kryegjyshii Botëror i Bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj, Presidenti Meta tha: “Jam i lumtur që jam rikthyer këtu në Kolonjë në festën tuaj tashmë tradicionale të 10 majit! Nën këtë rrap shekullor është bërë historia e ndritur e shqiptarisë ku janë mbledhur çetat e burrave të Kolonjës e të Kurveleshit. Ky shesh i ka bashkuar bijtë dhe bijat e fshatit e të krahinës në gëzime dhe derte. Nder dhe lavdi dëshmorëve të Kolonjës, të Kurveleshit, të Labërisë dhe të gjithë Shqipërisë! Respekt edhe për atdhetarët dhe mësuesit kolonjarë, të cilët 115 vjet më parë hapën shkollën e parë shqipe dhe në këtë njëqindvjeçar edukuan e arsimuan breza të tërë kolonjarësh, të cilët janë shquar në çdo kohë!"






/Ora News.tv/