Paralajmërimet e fundit të BERZH dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare për ulje ekonomike të Shqipërisë, Presidenti Ilir Meta i shikon jo vetëm shqetësuese në një plan afatshkurtër, por sipas tij  tregojnë krizën e thellë strukturore të ekonomisë sonë.

Në një reagim, Kreu i Shtetit kërkon që të rishikohet modeli ekonomik për të tejkaluar këtë krizë.

"Ndaj duhet të punohet seriozisht për të mbështetur aktivitetet ekonomike aktuale, por dhe të mendohet për të tejkaluar krizën strukturore duke rishikuar modelin ekonomik.

Modeli ekonomik duhet të mbështetet në diversifikimin e ekonomisë për të ulur riskun e krizave dhe për të siguruar një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm", shprehet Presidenti Meta.

Presidenti kërkon që të punohet për të shfrytëzuar kapacitetet potenciale të vendit tonë për të rritur prodhimin e energjisë, për të rritur vlerën e burimeve minerale dhe natyrore nëpërmjet përpunimit të tyre, për të rritur prodhimin industrial dhe për të shumëfishuar prodhimin bujqësor dhe atë agro-industrial.

"Zgjerimi i kapaciteteve portuale, i rrjetit të transportit, si dhe i transmetimit të energjisë është potencialisht një mundësi tjetër për të shfrytëzuar avantazhin tonë gjeografik rajonal", mbyll reagimin Presidenti Meta.

/Ora News.tv/