Nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, Presidenti Ilir Meta doli pa një maskë mbrojtëse por u kujdes të ruante distancën me gazetarët.

Pse nuk keni maskë?

Meta: Vi këtu pasi kam bërë një test të dyfishtë, nuk kam kontaktuar askënd dhe kam ruajtur distancën.

Meta vlerësoi masat e marra për përballimin e pandemisë botërore që ka prekur edhe vendin tonë, ndërsa nënvizoi se taskforca e ngritur nga Presidenca nuk dublon dhe as zëvendëson atë të qeverisë.

Presidenti apeloi edhe njëherë të ruhet qetësia, ndërsa shtoi se duhet parë mundësia për vënien e një tjetër numri në dispozicion në funksion të thirrjeve të urgjencës.

Meta: Task-forca në presidencë nuk zëvendëson as dublon task-forcën e qeverisë. Kjo është në fumnksion të presidentit.Të gjithë të përqëndrohemi te mesazhet e autoriteteve të shëndetit publik, udhëzimet e autoriteteve qeveritare, ti referohemi 127 dhe ndoshta duhet para mundësia për një numër tjetër. Të gjithë së bashku do ta kalojmë këtë situatë me sa më shumë kujdes dhe pa panik.

Ndërsa dhuroi gjak së bashku me kabinetin e tij, Kreu i Shtetit apeloi dhuruesit vullnetarë ta kryejnë këtë proces pasi është i sigurt dhe nuk përbën asnjë problem, ndërkohë që nevojat për gjak të  fëmijëve talasemikë por jo vetëm, janë të mëdha.

Meta: Situata është e tillë që kërkon  një sensibilitet më të madh në ndihmë të fëmijëve, të gjithë atyre që e kanë të domosdoshme dhurimin e gjakut.Nuk duhet të biem pre e panikut aq më tepër që ky është një proces terësisht i garantuar dhe i shëndetshëm. Duhet ta vijojmë atë aksion, sidomos sa i takon vullnetarëve të dhurimit të gjakut, aq më tepër që këto ditë nevoja është më e lartë dhe solidariteti duhet të jetë më i fortë.





/Ora News.tv/