Presidenti, Ilir Meta, e kishte parashikuar që mazhoranca nuk do ta pranonte vendimin e tij për anulimin e datës së zgjedhjeve dhe për këtë arsye në konferencën për mediat ai u tregua mjaft i qartë kur tha se pa një datë të caktuar nga Presidenti nuk mund të ketë zgjedhje.

Ilir Meta: Në zbatim të nenit 92, shkronja “gj”, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së zhvillimit të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, për organet e pushtetit vendor, si dhe për zhvillimin e referendumeve.Konkretisht në këtë dispozitë të saj Kushtetuta përcakton se: “Presidenti cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve”.

Sipas Kushtetutës, pa patur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet e përgjithshme apo zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, nuk mund të zhvillohen. Zgjedhja e kushtetutë-bërësit, që të jetë pikërisht Presidenti i Republikës autoriteti që ushton kompetencën kushtetuese të caktimit të datës së zgjedhjeve është e lidhur ngushtësisht dhe në mënyrë të drejtëpëdrejtë me rolin dhe funksionin e tij si Kreu i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit.

Në fund të fjalimit të tij, Ilir Meta, bëri edhe shenjen e simbolit shqiptar për të argumentuar se vendimi i tij është marrë për interes të qytetarëve.

Sakaq Partia Socialiste njoftoi se do të nisë të enjten procedurat për shkarkimin e Ilir Metës si President. Vendimi i mor në mbledhjen e Kryesisë, ku i pranishëm ishte edhe Rama.

Elisa Spiropali, Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke folur për gazetarët pas mbledhjes tha se të enjten Kuvendi do të zhvillojë një debat për gjatë, "duke shtjelluar të gjithë argumentat sesi Ilir Meta ka sulmuar brutalisht Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë vend të botës, në asnjë Kushtetutë dhe aq më pak të quajtur çdekretim".

Dekreti i Presidentit Ilir Meta Për Anulimin e 30 Qershorit

/Ora News.tv/