Presidenti, Ilir Meta, i gjeti sërish referencat  për shtyrjen e zgjedhjeve  tek precedenti i parë i krijuar nga ish-presidenti Ramiz Alia, në përgjigje të pyetjes së deputetit Halit Valteri për të drejtën e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Meta: Në ’91-shin shtyu zgjedhjet me dy muaj për t’i dhënë mundësi opozitës së sapokrijuar të hynte në zgjedhje.

Duke e cilësuar ditën e dytë më të rëndësishme historike pas çlirimit të vendit, Meta publikoi një foto nga takimi i Lëvizjes Studentore me Ramiz Alinë, pjesë e të cilit ka qenë edhe vetë.

Në të tilla kushte, tha Meta, nuk mund ti kërkohet pas 30 vitesh që të heshtë dhe të kthehet te votimet moniste.

Ilir Meta: Janë disa Presidentë të Republikës që kanë vepruar në mënyrë të tillë apo të ngjashme për të ç'tensionuar situatën dhe për të garantuar pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje të përgjithshme apo vendore. Ka dhe deputetë me eksperiencë që mund t’ua shpjegojnë. Precedentin e parë e ka bërë Ramiz Alia në vitin 1991, i cili ka shtyrë zgjedhjet me dy muaj për ti dhënë kohë dhe  mundësi opozitës së sapo krijuar që kërkonte rrëzimin dhe përmbysjen  e tij që të merrte pjesë në zgjedhje. 

Këtu është dhe një fotografi historike e ditës më të rëndësishme në historinë  e Shqipërisë pas 29 nëntorit 1944 ku fati e solli që të isha dhe unë në emër të Lëvizjes Studentore dhe gjithë popullit shqiptar i kërkuam Ramiz Alisë në atë kohë pluralizimin politik. Jo vetëm e pranoi por me dekretin për shtyrjen e zgjehdjeve me 31 mars 1991 tregoi se të gjithë duhet të ishin në shërbim të pluralizimit politik njëherë e përgjithmonë.

Kjo është e tepërt, përveç argumentave ligjorë dhe konventave, t’i kërkosh një ish-studenti të Dhjetorit të heshtë pas 30 vjetësh, të heshtë dhe të kthehet në votime me një kandidat si njëherë e një kohë.



/Ora News.tv/