Kryeministri Rama ka njoftuar se qeveria  do të miratojë brenda kësaj jave amnistinë fiskale e cila do të kalojë në parlament brenda muajit maj.

Sipas Ramës, amnistia ndalon qartësisht riciklimin e të ardhurave nga krimi dhe korrupsioni.

Presidenti Ilir Meta në daljen e tij për mediat nga Presidenca nuk preferoi të komentojë rreth saj, duke deklaruar se do të ketë një qëndrim në një moment të dytë kur edhe të njihet me detajet.

Ilir Meta: Për çështjen e amnistisë nuk mendoj se është ky momenti për të dhënë një vlerësim pasi kemi të bëjmë me një iniciativë më shumë të bërë publike por pa një relacion apo argumentim të qartë. Ndoshta në një kohë të dytë do të më duhet të mbaj një qëndrim të qërtë dhe shterues për këtë çështje.

Kryeministri Rama ka thënë se nga kjo amnisti do të përjashtohen të gjithë ata që janë të dënuar për aktivitetet e caktuara që hyjnë në veprimtarinë kriminale që është edhe subjekt i OFL-së, si dhe të gjithë politikanët e familjarët e tyre dhe policët, gjyqtarët, prokurorët dhe punonjësit e administratës së lartë shtetërore.

/Ora News.tv/