Presidenti i Republikës Ilir Meta ka depozituar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për kalimin në pronësi të bashkisë së Tiranës, të godinës së Teatrit Kombëtar.

Në një dalje për mediat, kreu i shtetit shqiptar tha se ky vendim është anti kushtetues, duke cënuar pasurinë dhe pronën publike.

Presidenti Meta tha se qeveria dhe bashkia e Tiranës kanë kaluar kufijte dhe kompetencat duke marrë këto vendime për teatrin.

Ilir Meta: Bashkia Tiranë nuk mundet të ketë në pronësi dhe aq më tepër të shprehet për çështjet që kapërcejnë kufijtë e kompetencës që i përkasin sipas ligjit. Juridiksioni i bashkisë Tiranë për të vendosur për Teatrin Kombëtar është i kufizuar . Për një pasuri të tillë publike, pasuria duhet të qëndrojë në emër të Republikës së Shqipërisë.  

Kalimi në pronësi të bashkisë Tiranë të godinave të Teatrit Kombëtar me qëllim të paracaktuar se këto godina do të prishen përbën kërcënim të drejtpërdrejtë të parimeve kushtetuese.

Bashkia dhe qeveria nuk reflektuan

Në datën 9 maj kam bërë publike dy deklarata duke kërkuar reflektim nga KM dhe bashkia e Tiranës që janë palë në procesin e hapur në Gjykatën Kushtetuese. Këto dy autoritet kanë shfaqur hapur se qëllimi i tyre politik dhe i unifikuar është i qartë, se nuk tërhiqen nga shembja e Teatrit Kombëtar.  Këto deklarata përveçse vijnë në kundërshtim me parimet kushtetuese, por për kryetarin e bashkisë kapërcejnë edhe kufijtë e lejuar nga ligji për vetëqeverisjen vendore që përcakton se bashkitë janë përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Vendimi i KM, antikushtetues

Ky vendim i Këshillit të Mininistrave vazhdon të bartë qëllimin antikushtetues për cenimin e pasurive pronë publike që janë të lidhura me trashëgimin kulturore dhe identitetit kombëtar. Është e qartë që përmes togfjalëshit  në pikën 1 të këtij vendimi ku citohet me qëllim ndërtimin e një godine bashkëkohore dhe me standarde të Teatrit Kombëtar, shoqëruar kjo me togfjalëshin që "bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, qëllimi për shkatërrimin e godinave aktuale të kompleksit të Teatrit Kombëtar është vendosur në mënyrë të detyruar nga KM ndërkohë që kryetari i bashkisë Tiranë dhe këshilli bashkiak mbetet vetëm ta vendosin në ekzekutim këtë vendim të KM dhe kryeministrit.

/Ora News.tv/