Politikanët shqiptar kanë uruar të gjithë besimtarët ortodoks për festën e Pashkëve. Përveç urimit “Krishti u ringjall”, ata nuk harruan të artikulonin dhe mesazhe politike.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, bëri thirrje për më shumë bashkëpunim me njëri-tjetrin, për të mirën e përbashkët.

Kreu i Shtetit e dha këtë mesazh nga Katedralja Ortodokse “Ringjallja e Krishtit” ku u prit nga Kryepeskopi i Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi dhe klerikë të tjerë të Kishës.

Pas vizitës, ai tha se kjo ditë na ndihmon të reflektojmë.

Meta: Është një ditë që jam i bindur që na bashkon të gjithëve dhe na ndihmon të reflektojmë për më shumë bashkëpunim dhe harmoni për të mirën e përbashkët.

Një urim ka dhënë edhe kreu i qeverisë Edi Rama përmes një videoje në rrjetin social facebook, ku paraqet pamje nga Kisha e Marmiroit në Orikum të Vlorës.

Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zgjedhur facebookun për të uruar të gjithë shqiptarët.

Basha: Për shumë vjet gëzuar këtë festë të shenjtë që kremton triumfin e jetës mbi vdekjen, të shpresës dhe dritës mbi të keqen dhe errësirën, të së drejtës dhe të vërtetës mbi padrejtësinë, babëzinë dhe injorancën.

Por ndërsa politika në kryeqytet ka qenë me urime për festën, në qytetin e Fierit nuk kanë munguar sulmet politike.

Në kishën e Shën Gjergjit në Fier janë takuar me imzot At Nikolla, drejtues të pushtetit vendor dhe të forcave politike PS, PD dhe LSI. Përveç urimeve të rastit, ata nuk harruan dhe mesazhet politike.

Ish-deputeti demokrat i Fierit, Luan Baçi, tha se politika e ketyre 6 viteve është politikë agresive dhe ka vepruar në të keqen e shqiptarëve.

Luan Baçi: Është një politikë agresive, diversive, një politikë e mbrapshtë.

Ndërsa socialisti, Xhevit Bushi, parafolësin e tij e quajti politikanë të rrugëve.

Xhevit Bushi: Në ditë të tilla të shënuara, ashtu siç patëm ata politikanët e rrugës më parë, jemi mësuar dhe vijmë që të urojmë.

Ndërsa ish-deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, thjesht uroi të gjithë shqiptarët, pa adresuar sulme.



/Ora News.tv/