Presidenti Ilir Meta deklaron se ceshtja e Unazes se re përveç që është një korrupsion i pacipë dhe i shfrenuar është një genocid në raport me të drejtat e njeriut sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Meta i pergjigjet dhe pyetjes a ka frike nga SPAK. 

 Pjese nga intervista e kreut te shtetit per emisionin "Tempora"


Sonila Meco: Si e shpjegoni që quhet histori suksesi zoti Meta nga këta përfaqësues, të cilët kanë bashkëpunuar në realizimin e reformës në drejtësi? A nuk është ky një argument edhe për kryeministrin Rama për të thënë që kjo nuk është “Ramaformë”, por është reformë që mbështetet nga institucionet më të rëndësishme: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian?

Presidenti Meta: Ua thashë edhe më parë: Në rast se situata do të kishte ecur kaq mirë, do të ishin çelur që vjet. Në rast se gjërat po ecin kaq mirë sa ç’thoni ju, shpresoj...

Sonila Meco: Po në rast se ngrihet SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit në shtator apo tetor, edhe mund të hapen.

Presidenti Meta: ...shpresojmë të na zgjidhet kjo çështje më 17-18 tetor dhe e uroj shumë! Meqë erdhëm te SPAK-u, mendoj që të jemi pak më të përgjegjshëm kur flasim në raport me qytetarët shqiptarë, sepse dëgjova para pak ditësh se në shtator do të fillojë SPAK-u dhe do t’ia nisë me çështje të nxehta. Gjëra që për mua nuk mund të thuhen kurrë, sepse këto histori na kujtojnë ato të ish-prokurorit të Përgjithshëm, që...

Sonila Meco: Zoti Ibrahimi, në një intervistë me “DeutscheWelle-n” deklaroi që do ta fillojë me çështje të nxehta duke përmendur çështjen e ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Presidenti Meta: ...Kjo është një histori që le të vazhdojnë të merren me të gjitha çështjet...

Sonila Meco: Është kreu i KLP-së, i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Presidenti Meta: ... ajo që dua t’ju them është kjo gjë: Të mos kemi mungesë respekti për qytetarët shqiptarë! U tha që sa të ikë Adriatik Llalla, do të fillojnë çështjet e nxehta. Nuk ka çështje më të nxehtë se sa ajo e Unazës së Re! Pse? Sepse është ai popull atje që unë i kam parë të gjitha letrat, edhe pse institucionet e kanë me detyrim kushtetues, me një nen të Kushtetutës, që Presidentit të Republikës t’i japin çdo informacion që kërkon, por edhe me aq sa kam parë, është një genocid në raport me të drejtat e njeriut sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Përveç që është një korrupsion i pacipë dhe i shfrenuar ku për fat të keq, kanë implikuar edhe një institucion amerikan, Departamentin e Delaware-it, siç e dini ju, etj., etj. Nuk ka çështje më të nxehtë për atë. Nuk kemi se çfarë presim!

Sonila Meco:Nuk e paragjykojmë dot. SPAK-u mund ta nisë me atë.

Presidenti Meta: Nuk po them unë se me çfarë ta nisë. Nuk jap unë orientime se me çfarë ta nisë. Unë përgjigjem për Kushtetutën e Shqipërisë. Kur thuhej sa të ikë ky, do të bëhet nami. Tani themi sa të bëhet kjo. Gjërat janë të qarta: Prokurori i Përgjithshëm, që u zgjodh me 69 vota, u zgjodh që në bazë të veprimeve që do të bënte, pra të njëanshme për fat të keq, dhe ju e dini se sa kontestime ka pasur edhe për KLP-në, madje edhe ka, se nuk dua të hyj në çështje më të thella, të krijojë një KLP. Po SPAK-u nga do të dalë? Të krijohet nga kjo KLP. Pra nga Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm. Shikojeni me logjikë këtë gjë! Shpresojmë që të bëjë mrekullira! Këtu  do të jemi.

Sonila Meco:Ai do të ngrihet. Në shtator, tetor është i përfunduar.

Presidenti Meta: Duhet të ishte ngritur me kohë.

Sonila Meco Ju shqetëson kjo gjë zoti Meta? Sepse ju thoni, sipas jush do të jetë një SPAK nën ndikimin e këtij Prokurori të Përgjithshëm, të zonjës Marku... nën ndikimin politik. A e keni frikë? Ju bëj një pyetje mëse normale. E bën çdo shqiptar zoti Meta.

Presidenti Meta: E para nuk kam asnjë arsye të kem asnjë frikë nga askush. E dyta, janë lodhur në këtë vend që të më arrestonin mua. I pari donte të më arrestonte Doktori në 1992, që më hoqi imunitetin. Isha i pari deputet i opozitës që më hoqi imunitetin dhe që më mbajtën tetë muaj peng nëpër prokurori. Më thoshin edhe që të largohesha që të mos arrestohesha. Ato marrëzitë e asaj kohe. E unë mezi po prisja që të më arrestonin, por nuk e bënë këtë.

'...



/Ora News.tv/