Presidenti i Republikës së Shqiperisë Sh. T. Z. Ilir META, ishte i ftuar nderi në Senatin amerikan nga Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes, Senatori Jim Inhofe, për të mbajtur fjalën në forumin me temë: “Sfidat e Rajonit të Europës Juglindore dhe përballja me ndërhyrjen nga Rusia”.

Duke folur për rajonin Meta tha: "Ndryshimi i vetëm kufitar për të cilin duhet të punojmë natë e ditë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit europian në Ballkanin Perëndimor" nënvizoi Meta.

Ndërsa nënvizoi nevojën që Shtetet e Bashkuara të përqendrohen në Ballkan.

"Jemi realistë se sfidat gjithnjë e në rritje, me të cilat përballet SHBA-ja në arenën globale, por jo vetëm ato, tranzicionet e BE-së, si dhe sfidat e brendshme strukturore me të cilat përballet Aleanca, kërkojnë dhe meritojnë vëmendje të plotë. Është koha për të ngritur flamurin sinjalizues e një rreziku potencial që mund të krijojë e të lerë një vakum në rajon, i cili mund të mbushet nga ekstremizmi fetar me ndihmën e disa fuqive të huaja.
Vetëm pak javë më parë, Shqipëria dëboi ambasadorin iranian në Tiranë, së bashku me njërin prej diplomatëve të tyre, të cilët po rrezikonin sigurinë tonë kombëtare. Zvogëlimi dhe mungesa e koordinimit të SHBA-ve dhe Bashkimit Europian si dhe përfshirjes së tyre në Ballkan mund të krijojë një vakum që do të rriste praninë e Rusisë dhe aktorëve të tretë në rajon. Suksesi i një paqeje të qëndrueshme në rajon ka ardhur si rezultat i partneritetit të fortë transatlantik, i cili mbetet jetik edhe sot, pavarësisht dallimeve. Destabilizimi i rajonit është në interes të Rusisë, ndërsa fati i tij në rajon është në BE dhe në NATO gjithashtu. 

Gjatë vizitës së tij në Beograd, Presidenti Putin akuzoi SHBA-në dhe BE-në se po përpiqen të destabilizojnë seriozisht rajonin. 

Në të vërtetë, ne dëshirojmë që Rusia të respektojë aspiratën euroatlantike të vendeve në rajon.

Jemi realistë për faktin se e kuptojmë që fuqitë rivale dhe aktorët që sfidojnë Aleancën Euro-Atlantike janë të fortë, por ne duhet të jemi këmbëngulës në përballimin e këtyre kërcënimeve, nëpërmjet një partneriteti strategjik kolektiv në mënyrë të tillë që të gjithmonë të mbrojmë rajonin tonë dhe interesat e Aleancës."

Meta: Marrëveshja Kosovë-Serbi afatgjate nëse ka garant SHBA dhe BE
 

/Ora News.tv/