Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Presidenti Ilir Meta bëri publik dekretimin e Marsida Xaferllarit, si anëtarë të 5 të të Gjykatës Kushtetuese. Në mesin e një debati për këtë gjykatë, Meta sqaroi se Kushtetuta nuk ka asnjë afat të përcaktuar për Presidentin.

Pyetje: Mund të na thoni, është e rëndësishme data dhe afati i vendisur në Kushtetutë prej 30 ditësh për ju?

Ilir Meta: Nuk kemi një afat për të përcaktuar në Kushtetutë për Presidentin. Ka afat për parlamentin sepse është një institucion kolegjial që përbëhet nga forca të ndryshme politike.Së dyti, Kushtetuta është mbi çdo gjë, aq më tepër kur bëhet fjalë për krijimin e Gjykatës Kushtetutese, Kushtetuta është zero pa Gjykatë Kushtetuese. Dhe ne kemi dy vjet që jemi pa Kushetutë përderisa jemi pa gjykatë.

 Momenti i krjimit të Gjykatës Kushtetuese është historik sepse për herë të parë krijohet Gjykata Kushtetuese sipas reformës që u bë në Kushtetutë për reformën në drejtësi. Është tepër e rëndësishem të respektohet Kushtetuta për këtë çështje aq më tepër për Gjykatën Kushtetuese sepse është garancia për mbrojtjen e Kushtetutës, të drejtat dhe parimet kushtetuese në interes të çdo qytetari. 

Çdo akt i presidentit, parlamenti dhe gjithë institucionet e përfishra në këtë proces është historik se do mbetet si referencë në të ardhmen. Çdo veprim i presidentit aktual është një veprim që mbetet si precedent për presidentët e ardhshëm.

Po ashtu, çdo veprim i Kuvendit aktual është një precedent për veprimtarinë e Kuvendeve të ardhshme në momentet ku do të ripërtërihet apo do të plotësohen vakancat që do të krijohen në Gjykatën Kushtetuese.

Meta shpërtheu në akuza ndaj kryetarit të KED, duke e akuzuar për lojëra mafioze.

Ilir Meta: KED është një institucion që merret vetëm me menaxhimin administrativ për të garantuar zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit për krijimin e Gjykatës Kushtetuese, asgjë tjetër. Kushtetuta tregon qartë si krijohet Gjykata Kushtetuese, e thotë qartë se Presidenti ka të drejtë për të plotësuar vakancën e  parë në Gjykatë Kushtetuese, pastaj është parlamenti. Në këtë mënyrë përsëritet e njëjta renditje. Është detyra e KED të rregullojë listat e vakancave të kandidatëve, të kritereve dhe afateve që të respektohet Kushtetuta për mënyrën  e ndërtimit të Gjykatës Kushtetuese, ligjit për Gjykatën Kushtetuese, të mos kemi përplasje mes institucioneve dhe të plotësohen të gjitha kriteret që parashikon Kushtetuta dhe ligji për Gjykatën Kushtetuese.

Dhe nuk është e kundërta, që KED i cili është institucion kolegjial dhe merr vendime kolegjiale, jo KED por kryetari i KED të bëjë lojëra të karakterit administrativ duke vendosur vetë kohën sesi i dërgon listat për vakancat që krijohen mes Presidentit dhe Parlamentit ku kishim katër vakanca nga dy për institucion, ku në mënyrë tepër të dyshimtë për të mos thënë pa e tepruar mafioze, që të vendosë Presidentin në këtë pozitë që o të shkelë Kushtetutën që thotë qartë se Presidenti plotëson vakancën e parë dhe është Parlamenti që plotëson vakancën e dytë. Parlamenti do të anatemonte me të drejtë presidentin si shkelës i Kushtetutës dhe përzgjedhjen e dytë që i takonte Presidentit si përzgjedhje antikushtetuese. Ose me interpretime absurde, qesharake si ato që keni dëgjuar ju, thotë që i ka mbaruar afati presidentit. Kjo është terësisht absurde, e turpshme, mafioze.

Kreu i Shtetit tha se ka ezauruar të gjitha mundësitë dhe komunikimin me institucionet e tjera në mënyrë që të mos kishim një tjetër përplasje institucionale.

Ilir Meta: Do të shikoni në gjithë dokumentin që i shtjellon shumë qartë të gjitha aspektet, ligjor, administrativ që flet qartë dhe dokumenton marrëdhënien e presidentit me KED. Gjatë gjithë procesit kemi qenë në marrëdhënie të përhershme institucionale, zyrtare. Shqetësimet tona nuk i kemi bërë publike se nuk kemi dashur të dëmtojmë më tej këtë proces sesa e kanë dëmtuar ata që e lanë Shqipërinë 2 vjet qëllimisht pa Gjykatë Kushtetuese, ata që kanë bllokuar dy KED në mënyrë që të gjenin një kryetar KED-je si ky që bën këto lojëra, këto filma që nuk ka ngelur budalla pa i kuptuar këtu përveç të korruptuarve shqiptarë dhe ndërkombëtarë që tashmë janë të evidentuar.

Presidenti ka qenë shembulli i bashkëpunimit do ta shikoni dhe nga arsyetimi i marrëdhënieve tona zyrtare me KED, qëndrimeve të shprehura në çdo mbledhje të KED shumica e të cilave për fat të keq pavarësisht se janë detyrim ligjor nuk janë zbardhur ende, është një gjë mjaft e rëndë. Ka qenë prezente dhe Avokati i Popullit, përfaqësuesit e tij. Gjithmonë i është kërkuar KED në kohë që të marrë të gjitha masat që të mos vijmë në një situatë të tillë, të marrë të gjitha masat administrative të garantimit të listave që për çdo vakancë të kemi tre kandidatë të paktën në mënyrë që të kemi mundësi përzgjedhje. Jo të vijmë në një situatë ku të gjithë kandidatët janë të paracaktuar dhe ku mundësia e zgjedhjes është pranë zeros.

Ka qenë këreksë zyrtare e Presidentit që të mos kemi këtë situatë ku dërgohen në të njëjtën kohë dy vakanca të ndryshme në kohë që i takojnë Presidentit. Në rast se Presidenti do të kishte vepruar në atë mënyrë që u përpoq ti imponojë në mënyrë antikushtetuese dhe personale kryetari i KED, të plotësonte vakancën e parë dhe të dytë para Kuvendit, Presidenti do të bënte shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjit, por edhe Presidenti mund të akuzohej se e la parlamentin jashtë mundësive për të zgjedhur sepse nuk kishte mundësi të kishte tre kandidatë për çdo vakancë. Presidenti jo vetëm ka komunikuar shumë më herët se KED të dërgonte listat për Presidentin dhe çuditërisht pothuajse të njëjtat lista që janë miratuar ditë më vonë i çon për Parlamerntin por njëkohësisht ka komunikuar dhe me parlamentin.

Është bërë publike letra drejtuar kryetarit të Kuvendit, KED dhe Avokatit të Popullit nga Presidenti që i kërkon të evitohet kjo përplasje.Edhe Kuvendi nuk duhet të vinte në një pozicion të vështirë që e vuri dhe e ka vënë Presidentin, sepse  është institucion monokratik, nuk është si kuvendi që edhe po u shkel Kushtetuta, që nuk është gjë e re për fat të keq, apo dhe po u shkel ligji është përgjegjësi kolektive e 140 apo 120 deputetëve që janë atje. Këtu përgjegjësia është e presidentit dhe në fund fare është vetëm një person që merr përgjegjësinë, Ilir Meta. Prandaj kam kërkuar bashkëpunim.

Kushtetuesja është vendosur kusht nga Bundestagu, e gjithë Europa. Por sipas Kushtetutës dhe jo sipas lojërave që bëhen për kapjen e Gjykatës Kushtetuese që janë evidente. Të hënën u detyrova të bëj një postim ku i them Kuvendit ju lutem përmbushni përgjegjësinë tuaj për vendin e dytë dhe unë brenda 24 orëve do plotësoj vakancën tjetër nën mënyrë që Kuvendi brenda afateve kushtetuese që i skadonte sot të kishte mundësi të plotësonte në mënyrë të rregullt vakancën e dytë. Ata vepruan ndryshe, është përgjegjësi e tyre. Unë jam i detyruar të ndërmarr përgjegjësitë dhe veprimet e mia në respekt të Kushtetutës dhe asgjëje tjetër.

Gazetarja: Ju e lexuat Kushtetutën zoti President, por nuk e lexuat të gjithë parashikimin, për radhën që ndihet për të përzgjedhur anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, mbase edhe ngaqë është shumë i gjatë. Është Presidenti, është Parlamenti dhe është Gjykata e Lartë. Ky është një pretendim që ngre mazhoranca, që ju nuk jeni shumë korrekt kur e lexoni Kushtetutën, sepse është Gjykata e Lartë që duhet të zgjedhë anëtarin e 3.

Ilir Meta: Unë jam shumë korrekt, më fal. Jam korrekt sepse Kushtetuta e thotë shumë qartë që vakancën e parë e plotëson presidenti i Republikës, të dytin Kuvendi, të tretën Gjykata e Lartë dhe kjo përsëritet në mënyrë të vazhdueshme. Radhitja nuk është rastësi, por është për të ruajtur vetëbalancat se si krijohet Gjykata Kushtetuese. Kështu që është e shprehur shumë mirë në Kushtetutë, që presidenti nuk mund të bëjë dy emërime të njëpasnjëshme, sepse është një shkelje e qartë e Kushtetutës.

Marrim rastin e Gjykatës së Lartë, kjo është një situatë specifike, për të cilën jo vetëm që presidenti nuk ka përgjegjësi, por që edhe të tjerët e kanë pranuar që do të zhvillohet në një moment të dytë për arsye të tjera.

Jemi në momentin që kemi 4 vakanca, 2 të presidentit dhe dy të parlamentit, për të cilat duhet ruajtur balanca dhe llogjika që ka imponuar Kushtetuta për të ruajtur ekuilibër midis këtyre institucioneve dhe kjo është e paevitueshme.

Kur ti si KED bën një proces dhe nga ky proces dalin pak emra dhe gati po kaq vende, atëherë çdo zgjedhje që bën presidenti ndikohet automatikisht edhe tek listat e Kuvendit dhe mund të dëmtojë procesin e zgjedhjes së Kuvendit sipas kritereve. Mund të fajësohet pastaj presidenti që jo vetëm shkeli kushtetutën, por i hoqi mundësinë Kuvendit që të bënte zgjedhjen brenda atyre numrave që ka përcaktuar ligji për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Është shumë e qartë dhe nuk e luan topi, Presidenti plotëson vakancën e parë dhe parlamëenti të dytën. Çdo gjë tjetër është një sofizëm dhe një marrëzi shumë e qartë për cdo njeri që ka dëshirë që ta lexojë kushtetutën dhe që ka llogjikën pse kushtetuta e ka ndërtuar në këtë mënyrë Gjykatën Kushtetuese.




/Ora News.tv/