Presidenti Ilir Meta ka shprehur domosdoshmërinë e ndërlidhjes së rajoneve, në kushtet kur sipas tij bota sot po përballet me sifda të panjohura më parë.

I ftuar në Forumin e 7-të Global të Bakusë, me temë: “Një Politikë e Jashtme e Re”, kreu i shtetit shqiptar tha se kërcënimet terroriste, ndryshimet klimatike dhe faktorë të tjerë po cënojnë jo pak paqen në arenën ndërkombëtare.

Meta: Kërcënime të reja nga terrorizmi ndërkombëtar po përhapen me të njëjtën shpejtësi si revolucioni teknologjik dhe siguria kibernetike po bëhet një sfidë e madhe për shoqëritë dhe vlerat tona. Në rrethana të tilla, duhet të përpiqemi shumë për të ndërlidhur vendet dhe rajonet tona në mënyrë që të tejkalohen me sukses këto sfida si dhe të rriten aftësitë tona të sigurisë e të përmirësojmë lidhjen tonë energjetike dhe infrastrukturore.

Duke folur për sfidat e Ballkanit Perëndimor, Meta vuri theksin tek domosdoshmëria e dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa evidentoi edhe përparimet e Shqipërisë drejt BE.

Meta:  Inkurajojmë fort që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të ecë përpara për të arritur një marrëveshje që do të normalizonte përfundimisht marrëdhëniet midis dy shteteve dhe do të çonte në njohjen e përbashkët.

Në këtë forum marrin pjesë krerë shtetesh dhe qeverish të vendeve të ndryshme.

/Ora News.tv/