Nga Korça Presidenti Meta komenton ndryshimet ne qeveri që kryeministri Rama prezantoi sot në Asamblenë Kombëtare të PS-së. 

Meta la të kuptohet se është thelbësore të ndryshojë filozofia e qeverisjes.

Pyetje: Zoti President, kryeministri Rama ka bërë me dije ndryshime të thella në kabinetin e tij. A është kjo zgjidhja?

Presidenti Meta: Nuk do të dëshiroja të hyja në komente të tilla, aq më tepër që nuk jam njohur realisht dhe plotësisht me këto ndryshime. Për mua është thelbësore të ndryshojë filozofia e qeverisjes, e cila duhet të jetë një filozofi bashkëpunuese. Bashkëpunuese me opozitën, bashkëpunuese me grupet e interesit, për bërjen e ligjeve më të mira dhe zbatimin e tyre. Bashkëpunuese me institucionet e pavarura, sepse kjo do të na ndihmojë që të jemi edhe më reflektues për të sjellë ato ndryshime, për të cilat në radhë të parë kanë nevojë njerëzit më në vështirësi, kanë nevojë një pjesë e madhe e shqiptarëve për të dalë nga pragu i varfërisë në të cilin ndodhen sot, por aq më tepër për të zgjeruar e për të konsoliduar shtresën e mesme në vendin e shoqërinë tonë, që është domosdoshmëri për të evituar një ndarje sociale, e cila mund të bëhet shumë e rrezikshme për shoqërinë tonë.

Pyetje: A mund të jenë këto ndryshime që do ta shtyjnë më tej zgjidhjen në “kabinetin Rama”?


Presidenti Meta: Nuk është kjo çështja më e rëndësishme meqë më pyetët pak më parë për ndryshimin e ministrit të Bujqësisë. Meqenëse edhe vetë Korça e lidh mjaft fatin e saj me zhvillimin e bujqësisë e të industrive që bazohen te ajo, mund të them që mund të ndryshohet çdo gjashtë muaj ministri i Bujqësisë, por në rast se nuk ndryshohen politikat për zhvillimin e bujqësisë, për mbështetjen e bujqësisë, ndryshimet e emrave, nuk u vlejnë as fermerëve, as ekonomistëve të vendit. Dhe për këtë nuk dua të lodhem shumë. Kam kohë që e kërkojë të ndjekim modelin e Maqedonisë, që është kaq afër Shqipërisë dhe Korçës.


Pyetje: 
Një pyetje të fundit: Dy ministra vijnë nga Kosova?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë informacion për këtë çështje. Për muanuk është e rëndësishme se nga vijnë e si vijnë apo si ikin ministrat. Për mua është e rëndësishme të reflektojmë dhe të përmirësojmë raportin me të vërtetën dhe me njerëzit.

Kryeministri Rama largoi sot me një të rënë të lapsit 7 ministra të kabinetit të tij qeveritar si dhe zv.kryeministren, Senida Mesi, ndërsa dha paralajmërim për dy ministra të tjerë. 

Gjithashtu u emërua Erjon Braçe si zv/kryeministri i ri si dhe riktheu Ministrinë e Marrëdhënieve me Parlamentin duke emëruar në këtë post Elisa Spiropalin

Të gjithë ata që kishin 5 vjet në kabinet janë larguar për t'ia lënë vendin të tjerëve.


/Ora News.tv/