Meta nderon homologen kroate me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”

Meta nderon homologen kroate me “Dekoratën e Flamurit

Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç ”Për kontributin e çmuar në intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë; për forcimin e mëtejshëm të miqësisë shumëshekullore midis popullit shqiptar dhe atij kroat; si dhe për mbështetjen e pakursyer në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

Presidenti Meta deklaroi se shqiptarët dhe kroatët kanë ndërtuar në shekuj lidhje të fuqishme miqësie e bashkëpunimi.

Ilir Meta: Ishte Albanologu i shquar kroat, Milan Shuflaj (Milan Šufflay), i cili u bë zëdhënësi më i besueshëm i historisë së shqiptarëve duke forcuar kështu edhe miqësinë midis dy popujve.300 vjet më parë kroatët i hapën dyert e tyre Arbanasve dhe kjo ka vijuar në forma të ndryshme deri në fund të shekullit të shkuar.Prania e tyre në Kroaci është një lidhje e fuqishme miqësie midis dy kombeve që sot po kontribuon edhe në forcimin e bashkëpunimit ekonomik e kulturor.

Falë kësaj mikpritjeje, shqiptarët në Kroaci janë ndjerë gjithmonë, si në kohë paqe ashtu edhe në kohë lufte, sa shqiptarë aq edhe kroatë. Kjo u demonstrua edhe në luftën më të fundit për pavarësi të Kroacisë.Shqiptarët sot përfaqësohen edhe me një deputete të nderuar në parlamentin e Kroacisë, zonjës Ermina Lekaj Prljaskaj.

Presidentja e Kroacisë e falenderoi Presidentin Meta duke theksuar se ky vlerësim ndaj saj shkon për të gjithë popullin kroat.

Kolinda Grabar-Kitaroviç: Ju falënderoj zoti President për këtë nderim, që në fakt nuk është vetëm për mua, por edhe për popullin kroat, duke më akorduar Dekoratën e Flamurit Kombëtar! Ky titull që po marr është simbol i një miqësie të thellë mes vendeve tona, veçanërisht mes shqiptarëve dhe kroatëve dhe u jam mirënjohëse si ju personalisht, po ashtu dhe Shqipërisë.

EMISIONET