Presidenti Ilir Meta thotë se e ka pritur me hidhërim ndarjen nga jeta të senatorit amerikan, John McCain, duke theksuar se ai ishte një nga mbështetësit e vendosur të çështjes së Kosovës dhe kauzës për lirinë dhe pavarësinë e saj.

Mesazhi i zt.Meta: 

Ndarja nga jeta e Senatorit John McCain është një lajm i hidhur për mua dhe për të gjithë shqiptarët.

Sot u largua nga jeta një hero lufte dhe një patriot i madh, njeriu që i shërbeu kombit të tij me vetëmohim, heroizëm e ndershmëri të pashoqe.

Ai i shërbeu lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë e veçanërisht në Ballkan.

Senatori McCain ishte një nga mbështetësit e vendosur të çështjes së Kosovës dhe kauzës për lirinë dhe pavarësinë e saj.

Ai u bë një ndër mbështetësit kryesorë të anëtarësimit të Shqipërisë dhe të rajonit tonë në NATO për të cilën të gjithë shqiptarët i janë mirënjohës.

Angazhimi i përkushtuar i njerëzve të tillë si McCain për çështjen e të drejtave dhe të lirive të popujve të shtypur në botë e kanë bërë SHBA-në një vend lider të demokracisë dhe rriti simpatinë e saj në gjithë botën.

Sot shqiptarët humbën një mik të veçantë e të pazëvendësueshëm.

U prehtë në paqe shpirti i tij!

/Ora News.tv/