Presidenti Ilir Meta deklaron se ndaloi zgjedhjet moniste që mund të bëheshin më 30 qershor dhe paralajmëron kush vazhdon me kokëfortësi në rrugën e paligjshmërisë do të marrë të gjitha përgjegjësitë.


Ilir Meta: Mbetem durim plotë pavarësisht se për fat të keq janë shpërdoruar më shumë se dy javë që nga momenti kur unë e krijova këtë dritare për dialog dhe për reflektim nga të dy palët. Do të vazhdoj të jem i qetë dhe i duruar por duhet të keni të qartë.  Presidenti nuk ndërhyn për të penguar zgjedhje partiake por pa dyshim, besoj se lidhur me datën 30 qershor,  si zgjedhje në Republikën e Shqipërisë kjo datë ka rënë. Nuk ekziston më ligjërisht. Kush dëshiron të bëjë zgjedhje të karakterit partiak është i lirë. Presidenti nuk ndërhyn në punët e brendshme të partive. Kjo duhet të jetë e qartë për ju dhe për të gjithë brenda dhe jashtë vendit.

 Në Republikën e Shqipërisë ka vetëm një institucion që vendos datën e zgjedhjeve. Ky është presidenti. Edhe një herë tjetër apeloj për reflektim. Kush vazhdon me kokëfortësi në rrugën e paligjshmërisë do të marrë të gjitha përgjegjësitë dhe askush nuk do ta justifikojë dot."

Shqiperia do te denohej nga gjykata Europiane

Në deklaratën për median thirrur mëngjesin e sotëm në presidencë kreu i shtetit nënvizoi më tej se edhe sikur të bëhen zgjedhjet e 30 qershorit çelja e negociatave do të kishte një të ardhme të paditur dhe Shqipëria do të dënohej nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut

Unë nuk hyj tek ato politikanë që flasin në emër të ambasadave, ndërkombëtareve apo  që fshihen pas tyre. Në Republikën e Shqipërisë i vetmi institucion që vendos për datën e zgjedhjeve është Presidenti i Republikës. Unë nuk kam anuluar zgjedhje as në Kinë as në Itali, apo Amerikë. Kam anuluar zgjedhjet për shkak të një krize shumë të rëndë politike të cilën besoj se e keni vënë re prej muajsh, me qëllim normalizimin e situatës në vend dhe gjetjen e rrugës dhe datën për zgjedhje gjithëprëfshirëse.

Mos prisni nga asnjë ambasador tju thotë këtë që ju them unë. Edhe sikur të bëhen zgjedhjet e 30 qershorit, që nuk ekzistojnë më ligjërisht, pa opozitën, ata që do të shkonin të votonin pa kandidatë alternativë, e ardhmja europiane dhe çelja e negociatave do të kishte një të ardhme të paditur për një kohë shumë të gjatë. E kam sqaruar zgjedhje të tilla nuk plotësojnë asnjë standard minimal të kritereve të Kopenhagenit dhe jo vetëm kaq Shqipëria do të dënohej nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut siç ka ndodhur me shumë vende të tjera. Prandaj jam shumë i qartë. Nuk  kam anuluar zgjedhjet në asnjë vend, në asnjë ambasadë apo fondacion. Kam anuluar zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë  para të gjithë shqiptarëve. Të gjithë e kanë pasur të qartë. Kam bërë përpjekje të vazhdueshme për dialog mes dy palëve. Kam paralajmëruar më 24 maj që jam gati për të rishikuar datën e zgjedhjeve. I keni parë reagimet. Kam krijuar këtë mundësi. Por zgjedhje më 30 qershor ligjërisht nuk ka dhe nuk do të ketë. " 

 



/Ora News.tv/