Pas konfliktit të shtuar politik ditët e fundit, Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje klasës politike për të ruajtur qetësinë dhe për të bashkëjetuar me njëri-tjetrin. Pas inaugurimit të një spitali privat, Meta nuk u përgjigj interesimit të mediave nëse do të tentonte të organizonte një takim mes palëve.

Situata e tensionuar politike në vend nuk ka ndikuar në qetësinë e Presidentit Ilir Meta. Në një inaugurim të ndërtimit të një spitali privat, Ilir Meta ka bërë thirrje se klasa politike duhet të ruajë qetësinë.

Meta: Mesazhet dhe lutjet për paqe dhe vëllazërim, për qetësi dhe bashkëjetesë janë sot aktuale për shoqërinë tonë, për politikën dhe politikanët, për përgjegjësinë e madhe dhe historike që ata duhet të tregojnë në çdo vendim që marrin në interes së të ardhmes europiane, dhe për kthimin e shpresës për të rejat dhe të rinjtë, që të ardhmen e tyre ta ndërtojnë në Shqipëri, bazuar në ruajtjen e vlerave më të mira familjare, shoqërore dhe kombëtare.

I pyetur nga gazetarët nëse do të tentonte të organizonte një takim si ndërmjetës me dy kampet politike, Kreu i Shtetit nuk dha asnjë përgjigje.

/Ora News.tv/