Meta mesazh Ruçit: Eshtë koha t'i heqim pushtetin e paligjshëm pakicës

Presidenti i Republikes dërgon mesazh kryetarit të Kuvendit ku nënvizon se "është koha tani e jo më vonë për t’i hequr pushtetin e paligjshëm kësaj pakice dhe për t’i rikthyer sovranitetin e marrë tinëzisht qytetarëve shqiptarë dhe rivendosur parlamentarizmin në Kuvendin e Shqipërisë."

Në një koment që kreu i shtetit ka shoqëruar kthim përgjigjen drejtuar letrës së Kuvendit, Meta fton Ruçin të ndihmojë Kuvendin aktual të orientohet sa më drejtë në këtë kohë kritike për vendin dhe të ardhmen e tij europiane.

Komenti shoqerues

Unë e di nga përvoja e mëparshme se sa e vështirë është të jesh Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, aty ku konfliktualiteti i dy palëve prej dekadash është konsoliduar si sporti më argëtues për tifozët e udhëheqësve respektivë, të cilët prej ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 filluan të zbresin edhe nga lozhat e spektatorëve direkt në karriget e deputetëve, madje edhe të boksojnë herë pas here për të garantuar vendin në listat e radhës e duke e bërë të pamundur përmbushjen efektive, të përgjegjshme dhe atdhetare të përgjegjësive të institucionit më të rëndësishëm të vendit që zgjedhin e besojnë qytetarët, të cilët po rrallohen çdo ditë pikërisht se ky konflikt i orkestruar dhe mbështetur nga një pakicë që përfiton me të gjitha qeveritë e radhës, si dhe garanton përmes zhurmës dhe tymit të sherrnajës së përhershme atje miratimin e ligjeve preferenciale e selektive që dëmtojnë interesin e përgjithshëm, buxhetin e shtetit dhe familjet shqiptare.

Vetëm kësaj pakice, që nuk njeh rotacion por njeh vetëm PPP me të gjitha qeveritë, i intereson kjo krize e përgjithshme që ka rrëzuar të gjithë sistemin e llogaridhënies në vend si në nivel qendror edhe vendor.

Kësaj pakice, që nuk ka asnjë lloj ideologjie i intereson vetëm shpikja e konflikteve të pafund në mënyrë që qytetarët e Shqipërisë të zhvishen çdo ditë nga të drejtat e tyre të fituara me aq sakrifica çdo ditë dhe të kthehen skllevër në atdheun e tyre.

Dhe kjo po ndodh se shumë prej përfaqësuesve të tyre që duhet të mbrojnë çdo ditë qytetarët e tyre u janë mbyllur sytë për të parë dhe veshët për të dëgjuar hallet e shqiptarëve. Por jo goja për të argëtuar liderët e tyre. Sepse kjo është e vetmja rrugë për të marrë firmën e tyre për në listën e radhës.

Ndaj është koha tani e jo më vonë për t’i hequr pushtetin e paligjshëm kësaj pakice dhe për t’i rikthyer sovranitetin e marrë tinëzisht qytetarëve shqiptarë dhe rivendosur parlamentarizmin në Kuvendin e Shqipërisë. 

Kjo nuk do të thotë se në Kuvend nuk ka deputetë të përgjegjshëm dhe të shqetësuar për çfarë po ndodh, ashtu siç dihet se kontributi i tyre është bërë dhe më i vështirë pas djegies në bllok të mandateve nga opozita, një akt për të cilin Kryetari i Kuvendit, zoti Ruçi, e di si askush tjetër mendimin tim, ashtu siç i di më mirë se kushdo përpjekjet e mia për rikthimin e saj në Kuvend në fillim të dhjetorit të kaluar.

Unë vazhdoj të besoj se përvoja e zotit Ruçi, por edhe e deputetëve të tjerë, do e ndihmojë Kuvendin aktual të orientohet sa më drejtë në këtë kohë kritike për vendin dhe të ardhmen e tij europiane.

EMISIONET