Presidenti Ilir Meta shpreh ngushëllimet e rastit familjes së 73 vjeçares e cila humbi jetën sot nga koronavirusi COVID-19. Gjithashtu ai I bën apel qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të zbatojnë me rigorozitet të gjitha këshillat dhe rekomandimet e autoriteteve.

"Me hidhërim të thellë mora lajmin e ndarjes nga jeta të qytetares 73-vjeçare nga Durrësi të konfirmuar me COVID-19. Duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe gjithë të afërmve të saj, u shpreh të gjithë solidaritetin tim në këto momente tepër të vështira! Edhe njëherë apeloj me forcë për çdo qytetar të tregojë kujdes maksimal dhe të zbatojë me rigorozitet të gjitha këshillat dhe rekomandimet e autoriteteve!"


Edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha shprehu ngushëllimet për familjarët e 73-vjeçares që humbi jetën për shkak të koronavirusit në vend. Në një mesazh në rrjetet sociale, Basha shpreh dëshirën për shërim sa më të shpejtë për të prekurit e tjerë. Ai gjithashtu apelon për më shumë kujdes nga qytetarët, duke iu bashkuar apelit të Kryeministrit Edi Rama për vetë-karantinim prej 14 ditësh të personave që kanë ardhur nga Italia.

Lulzim Basha: Të dashur bashkëqytetarë, Fatkeqësisht një zonjë humbi sot jetën nga virusi Covid 19. Ngushëllimet e mia për familjarët dhe të afërmit e saj, dhe uroj nga zemra shërim sa më të shpejtë për të prekurit e tjerë.

Ky moment duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë. Rastet e qytetarëve të ardhur nga Italia dhe që janë mbartës te koronavirusit po shtohen. Kjo e bën shumë më të rëndësishëm rritjen e kujdesit, e, në veçanti, bashkëpunimin e gjithsecilit prej nesh me mjekët dhe stafin shëndetësor. Në të kundërt rrezikojmë veten, familjen, të afërmit dhe miqtë. 

Bashkëpunoni me mjekët dhe jini transparentë, tregoni menjëhere nëse keni ardhur nga Italia, nese keni patur kontakte me persona në zonat e prekura nga virusi. Nuk është turp të prekesh nga koronavirusi, e rrezikshme për veten dhe të tjerët është ta mbash të fshehtë mundësinë e infektimit. Një pakujdesi e tillë rrezikon edhe infektimin e mjekëve e stafeve mjekësore. 

E di se shumë prej jush që vini nga zona të prekura apo që keni qenë në kontakt me persona të prekur, e konsideroni të vështirë vetëizolimin për 14 ditë. Por vetëm kështu ju mund të ndihmoni veten dhe të tjerët. 

Mjekët dhe stafi shëndetësor janë duke sakrifikuar shumë prandaj duhet t’i ndihmojmë me bashkëpunimin tonë.  Mos ngurroni të zbatoni këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sa më të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm të jemi, aq me më pak pasoja do ta kalojmë këtë situatë.

Lexoni këtu të gjitha lajmet: Shqiperi, konfirmohen dy raste me koronavirus, mbyllen shkollet. Klikoni ketu per te githa te rejat




/Ora News.tv/