Presidenti Ilir Meta bën thirrje për të mos kryer veprime të nxituara sa i takon miratimit të paketës antishpifje të qeverisë nga Kuvendi. 

Presidenti Meta: Të shohim si do të jenë zhvillimet. Unë shpresoj të mos bëhen veprime të nxituara."

Në një prononcim për TV Ora News teksa në Kuvend diskutohej paketa antishpifje, Meta u tregua i rezervuar sa i takon faktit nëse do dekretonte apo jo pr/ligjin.

"Çdo veprim i imi do të jetë institucional dhe do të jetë transparent, por nuk mund të paragjykoj asgjë."

Meta nënvizoi sërish se do të mbrojë Kushtetetutën së bashku me qytetarët.

Presidenti Meta: Unë e mbroj Kushtetutën çdo ditë edhe në çdo moment, që nga çasti që kam vënë dorën mbi Kushtetutë, sepse kjo është detyra kryesore e Presidentit të Republikës. Padyshim që kjo nuk është vetëm detyrë e Presidentit, por është e të gjithë popullit shqiptar, i cili e ka miratuar Kushtetutën me referendum më 22 nëntor të vitit 1998 dhe i cili për fat të keq që nga ajo periudhë e deri më tani ka lejuar që t’i preket Kushtetuta me vend dhe pa vend në kohë të ndryshme duke tronditur themelet e shtetit të së drejtës, gjë që ndihet sot nga të gjithë qytetarët shqiptarë. Kështu që unë besoj se Presidenti së bashku me qytetarët do të përforcojnë themelet e Kushtetutës, që u votua më 22 nëntor 1998. Kjo është detyra ime dhe është detyra e të gjithëve ne.

Kreu i shtetit ishte i ftuar në mbledhjen e parë të Këshillit Koordinues të Diasporës që u mbajt paraditen e sotme. 



/Ora News.tv/