Presidenti Meta priti sot në takim Ministrin Federal për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Republikës së Austrisë, Alexander Schallenberg.

Gjatë takimit me kyediplomatin Schallenber, Meta shprehu mirënjohje për mbështetjen që Austria vijon t‘i japë procesit të integrimit europian të Shqipërisë

Meta vuri në dukje se: “Austria ishte një prej vendeve që nënshkroi letrën mbështetëse për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Një tjetër pikë ku u ndal kreu i shtetit është bashkëpunim efektiv dypalësh midis agjencive të zbatimit të ligjit të dy vendeve tona, ku nënvizoi nevojën për forcimin e mëtejshëm të tyre.

Ndër të tjera Meta shprehu kënaqësinë për trendin pozitiv në shkëmbimet ekonomike e tregtare dypalëshe, si dhe çmoi asistencën austriake në edukimin profesional, duke kërkuar që eksperienca e shkëlqyer e Shkollës së Mesme Profesionale “Peter Mahringer” në Shkodër, të shtrihet edhe më gjerë në vend.

Në mbyllje Presidenti e falenderoi ministrin austriak për angazhimin, solidaritetin e treguar dhe ndihmat humanitare të autoriteteve austriake për tejkalimin e pasojave të tërmetit të 21 shtatorit.



/Ora News.tv/