Meta me homologun e Polonisë, mbështetje për kandidaturat në Këshillin e Sigurimit

Meta me homologun e Polonisë, mbështetje për kandidaturat në

Autoritetet shqiptare po lobojnë fort në SHBA për një vend në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara si anëtar i përkohshëm.

Gjatë takimit që zhvilloi me presidentin e Polonisë me rastin e hapjes së sesionit  të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti Ilir Meta dhe homologu i tij shprehën mbështetje reciproke për kandidaturat e të dy vendeve në Këshillin e Sigurimit të OKB, ndërsa vlerësuan edhe marrëdhëniet dy palëshe.

Meta dhe Duda thanë se marrëdhëniet Shqipëri-Poloni do të forcohen e intensifikohen në të ardhmen.

Meta: Vlerësoj rritjen e interesit e bashkëpunimit dypalësh në fushën e turizmit. Kënaqësi të konstatoj rritjen gjithnjë në rritje të turistëve polakë në Shqipëri.

Presidenti Meta ftoi homologun e Polonisë për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Meta: Vizita e Presidentit të Polonisë në Shqipëri do forcojë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.

Nga ana e tij presidenti i Polonisë, pranoi ftesën e Presidentit Meta për të vizituar Shqipërinë.

Kreu i Shtetit zhvilloi po ashtu takime me homologun qipriot dhe Mbretin e Jordanisë, Abdullah II.

Ambicien e Shqipërisë për një vend të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2022-2023 e shprehu dhe  Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.

Në takimin e organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal në formatin e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, me pjesëmarrjen e Komisionerit të BE-së Johannes Hahn, Ministri Bushati theksoi lidhjen e drejtpërdrejtë mes konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe mjedisit të sigurt në funksion të zhvillimit ekonomik të rajonit si dhe nënvizoi domosdoshmërinë e vullnetit politik për heqjen e barrierave që pengojnë ndërlidhjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të këtyre takimeve, Bushati nënshkroi një marrëveshje me Ministrin e El Salvadorit Carlos Castaneda për liberalizimin e vizave për shtetasit shqiptarë.

Marrëveshja ka si qëllim lehtësimin e qarkullimit të lëvizjes ndërmjet dy shteteve.

Këshilli ku Shqipëria kandidon përbëhet nga 15 anëtarë, prej të cilëve 5 janë të përhershëm. Konkretisht Franca, Britania e Madhe, SHBA, Kina dhe Rusia. Ndërkohë 10 të tjerët zgjidhen me një mandat 2 vjeçar.

EMISIONET