Presidenti Ilir Meta mblodhi sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Mbledhja, e cila zgjati rreth 3 ore u zhvilua online për shkak të situatës së koronavirusit.

Në videokonferencën live ishin të pranishëm Presidenti Meta, Kryeministri Rama, kryeparlamentari Ruçi, kryeopozitari Basha dhe Ministrat Ahmetaj, Manastriliu, Xhaçka, Gjonaj, Denaj dhe Lleshaj.

Në mbledhje u diskutuan 3 cështje kryesore. Së pari masat që janë marrë dhe po merren nga Qeveria për përballimin e situatës në vend dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të pasojave të COVID-19. Së dyti u diskutua për përballimin situatës ekonomike, nga efekti i sjellë nga përhapja e COVID-19;

Dhe së treti masat e marra për rikthimin e shtetasve shqiptare, të cilët kjo situatë i ka gjetur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Në njoftimin e bërë publik nga Presidenca thuhet se “Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u zhvillua në një frymë tepër konstruktive dhe bashkëpunuese, dhe pati si qëllim kryesor unifikimin e të gjitha energjive dhe kapaciteteve njerëzore, mjekësore e shkencore për të përballuar me efikasitet të plotë këtë situatë të vështirë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari, ekonomisë kombëtare, paqes sociale dhe sigurisë”.

Kryeministri Rama dhe anëtarët e qeverisë informuan për masat e marra dhe për skenarët që do të duhet të përballohen në varësi të zhvillimit të situatës.

Kryetari i Kuvendit Ruçi shprehu gatishmërinë për përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit në këtë situatë.

Kryetari i Partisë Demokratike Basha shprehu pikëpamjet dhe sugjerimet e opozitës për të përballuar këtë pandemi.

Presidenti Meta shprehu besimin se në këtë frymë uniteti, gjithëpërfshirjeje dhe bashkëpunimi, vendi do ta përballojë me sukses këtë situatë të vështirë, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë botën, në interesin me të mirë të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.


/Ora News.tv/