Tërmeti mbledh shtetin në Presidencë, Meta nxit prokurorinë të hetojë përgjegjësit

Shtatë ditë pas tërmetit të 26 nëntorit, Presidenti i Republikës mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare me dyer të mbyllura.

Strategjia për përballimin e emergjencës ka qenë tema e diskutimit mes Kreut të Shtetit, Kryeministrit, Ministrave, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, shefit të Emergjencave Civile dhe drejtuesit të Policisë së Shtetit.

Meta: Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, diskutuam për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë. Të sigurojmë burimet e brendshme dhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të këtij tërmeti të tmerrshëm.

Kreu i Shteti bën me dije se Këshilli i Sigurisë i ka kërkuar Prokurores së Përgjithshme Arta Marku që të nxjerrin para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës për pallatet dhe hotelet e shkatërruara nga tërmeti 6.4 i shkallës rihter.

Meta: E mbështetëm prokurorinë të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës.

Burime për RTV Ora thanë se nuk ka patur një ftesë për kryetarin e PD-së Lulzim Basha për të qenë pjesë e kësaj tryezë.

Ndërsa ashtu siç e njoftoi vetë në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, kryeministri Rama qëndroi për 60 minuta në mbledhjen e thirrur nga Ilir Meta së bashku me ministrat e tij përgjegjës për sektorët e prekur nga tërmeti.

Ndërsa kryetari i Kuvendit hyri i pari në Presidencë dhe doli 30 minuta pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë marrin pjesë:
Presidenti - Ilir Meta
Kryeministri - Edi Rama
Kryeparlamentari - Gramoz Ruçi
Kryeprokurori - Arta Marku

Ministri i Brendshëm - Sandër Lleshaj
Ministri i Drejtësisë - Etilda Gjonaj
Ministrja e Mbrojtjes - Olta Xhaçka

Ministrja e Arsimit - Besa Shahini
Ministri i Ekonomisë dhe Financave - Anila Denaj
Ministri i Energjetikës - Belinda Balluku
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë-Ardi Veliu

Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura- Bardhyl Kollçaku

Drejtori i Emergjencave Civile-Haki Çako

Këshilltar i Presidentit të Republikës për Çështjet e Sigurisë Kombëtare-Bahri Shaqiri

Këshilltari Ligjor i Presidentit-Bledar Dervishi

Rama: Kemi takim me Ilir Metën

Takimin e konfirmoi edhe kryeministri Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë mëngjesin e sotëm kur tha: “Nuk po humbim shumë kohë se kemi edhe një takim tjetër me kërkesë të Ilir Metës.”

Lajmi për mbledhjen e Këshillin e Sigurisë Kombëtare u dha nga zëdhënësi i Kreut të Shtetit, Tedi Blushi të dielën (1 dhjetor) në një postim në Facebook.

“Në përgjigje të interesimit të vazhdueshëm të mediave në lidhje me një mbledhje të mundshme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ju sqaroj se: Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka vendosur të thërrasë nesër mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në orën më të përshtatshme, në varësi të situatës,”-shkroi Blushi.

Lexo: Meta mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare



EMISIONET