Bashkëpunimi ekonomik ishte në qendër të bisedës që Presidenti Ilir Meta pati në Maltë me kryeministrin Joseph Muscat. Takimi mes tyre u zhvillua në kuadër të vizitës që kreu i shtetit shqiptar zhvilloi në Maltë me ftesë të homologut të tij.

Duke vlerësuar rolin mbështetës të këtij shteti në proceset integruese të Shqipërisë, Presidenti Meta shprehu interesine bashkëpunimit ekonomik, duke nisur sa më shpejt me krijimin e Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik, me fokus sektorët si turizmi, energjetika, infrastruktura, sektori finaciar, teknologjia e informacionit, industria detare dhe logjistika portuale etj.

Presidenti Meta ftoi kompanitë malteze të eksplorojnë potencialet investuese të Shqipërisë, e cila mund të shërbejë edhe si një portë hyrëse për zgjerimin e biznesit së tyre në rajonin e Ballkanit.

Gjithashtu, Presidenti Meta dhe Kryeministri Muscat ndanë të njëtin qëndrim që Shqipëria dhe Malta kanë potencial bashkëpunimi edhe në projekte të përbashkëta në kuadër të programit transnacional të BE-së Mediterranean 2014-2020, në fushën e inovacionit, turizmit, mjedisit, transportit detar etj.

Kreu i shtetit u prit edhe nga kryetari I Parlamentit Anglu Ferrugia.

Presidenti i Republikës rikonfirmoi edhe një herë vullnetin e Shqipërisë për të intensifikuar marrëdhëniet në të gjitha fushat me interes të përbashkët me Maltën.

Presidenti Meta vlerësoi se krijimi i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Maltë, do të ishte një mekanizëm nxitës për njohjen më të mirë të zhvillimeve dhe arritjeve në secilin vend, dhe do të përshpejtonte nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike dhe tregtare për të dy vendet.

/Ora News.tv/