Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka deklaruar se marrëveshja për kufirin detar me Greqinë, duket të ketë si “vijë të kuqe” respektimin e kushtetutës.

“Është e rëndësishme të kemi një marrëveshje perfektë nga ana ligjore, praktikisht të zbatueshme dhe përfundimisht të parevokueshme”, ka deklaruar Meta në një intervistë të publikuar të dielën në të përjavshmen greke “To Vima”.

Meta gjithashtu lë të kuptohet se do të japë plotfuqishmërinë për negociatat, të kërkuar nga ministri i jashtëm. “Pala shqiptare do të angazhohet në këtë dialog dhe do të vijë në negociata me vendosmëri që të arrijmë në një marrëveshje të re dhe përfundimtare delimitimi”, ka theksuar presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Duke iu referuar faktit se axhenda e negociatave aktuale Tiranë-Athinë “përmban edhe disa çështje të trashëguara nga e kaluara,. Por edhe e sotmja”, presidenti Meta deklaron se “përshëndet faktin që ekziston vullneti i mirë për të diskutuar, me shpresën që të zgjidhen në mënyrën më eficente”.

“Ligji grek për gjendjen e luftës me Shqipërinë përbën një marrëzi politike dhe shfuqizimi i tij duhej bërë prej vitesh. Përbën një paradoks të pashpjegueshëm se si dy vende që janë pjesë të një traktati miqësie, dhe aleatë në NATO, mundet në të njëjtën kohë të jenë në gjendje lufte që nga lufta e Dytë Botërore. Ka edhe një paradoks të dytë: Në momentin që Greqia ka dështuar të shfuqizojë këtë ligj absurd, i cili influencon qytetarë të pafajshëm shqiptarë që ende nuk mund të kërkojnë të drejtat e pronës në Greqi; në të njëjtën kohë pra, mbron të drejtat mbi pronën të qytetarëve shqiptarë me origjinë greke në Shqipëri”.

Presidenti Meta është pyetur edhe për çështjen çame. Theksimi të gazetarit se qeveria greke nuk e njeh ekzistencën e kësaj çështjeje dhe se përsëritja e saj nga ana e palës shqiptare “helmon” marrëdhëniet dypalëshe, presidenti i republikës përgjigjet:

"Kam konstatuar një ndjenjë pjekurie dhe përgjegjësie në rritje te të dy palët, për një dialog të sinqertë dhe të hapur për të gjitha çështjet. U dakordësuam se kemi trashëguar plagë nga e kaluara që duhet t’i diskutojmë me guxim.  Shqipëria dhe Greqia do të duhet  të shkëmbejnë hapur pikëpamjet dhe të vazhdojnë dialogun e sinqertë për zhjidhjen e pështjes çame, me profesionalizëm dhe përqasje me mendje të hapur. Ndërkaq, kemi rënë dakord se kemi pikëpamje të kundërta për këtë çështje, por kjo nuk do të duhej të ndalojë përpjekjet graduale për të mbërritur një mirëkuptim të përbashkët dhe zgjidhje të këtij problemi delikat”.

I përballur me pyetjen për çështjen e pronave në Himarë që kishte shkaktuar kaq tension në raportet e Athinës me Tiranën, presidenti Meta shprehet se kjo nuk përbën një diskriminim kundër minoritetit grek. “Çështja e pronave është një fenomen i përditshëm që preokupon gjithë shoqërinë shqiptare, është një sfidë e rëndësishme për Shqipërinë, e trashëguar nga e kaluara komuniste”.

“Ligji i ri për minoritetet përbën një garanci më shumë për të drejtat e minoritarëve, përfshi edhe faktin se të drejtat e pronës monitorohen shumë ngushtë nga Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian”, ka theksuar presidenti Ilir Meta në intervistën për gazetën greke, “To Vima”.

/Ora News.tv/