Në fjalën e tij në panelin e veçantë dedikuar sigurisë së Ballkanit në Forumin e 6-të Global që mbahet në Baku, Presidenti Ilir Meta tha se e ardhmja e përbashkët e vendeve të rajonit është integrimi në BE.

“E ardhmja e përbashkët e qytetarëve tanë në Ballkan, varet nga vetë vendet tona, nga aftësia jonë për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes me më shumë zhvillim dhe prosperitet për popujt tanë”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Ndryshe nga kryeministri Rama që emigrimin e shqiptarëve e konsideron si fenomen që ndodh edhe në vendet e zhvilluara europiane, Meta shprehu shqetësimin se po ndodh hemoragjia e trurit.

Meta: Fatkeqësisht, sfidat e përditshme ekonomike të vendeve tona në epokën aktuale të globalizmit po frymëzojnë valë të reja të emigrimit masiv drejt BE-së, sidomos mes të rinjve të kualifikuar.Kjo “hemoragji e trurit” drejt Europës po krijon pasoja të shqetësuese për të ardhmen e shoqërive tona.

Projektin TAP, kreu i shtetit e vlerësoi si impaktin më strategjik për interesat ekonomike të Ballkanit.

Meta: Realizimi i TAP është një kontribut jo vetëm për stabilitetin dhe sigurinë rajonale, por me impakt strategjik për interesat ekonomike dhe te sigurisë energjetike të vetë BE.

Duke ju referuar çështjeve të sigurisë, presidenti Meta nënvizoi se zgjerimi i NATO-s me vende si Mali i Zi dhe potencialisht dhe Maqedonia dëshmon për një vullnet dhe mbështetje solide të qartë të Aleancës dhe veçanërisht të SHBA-së për rajonin e Ballkanit.


/Ora News.tv/