Presidenti, Ilir Meta, ka rikthyer për shqyrtim në Kuvend koncesionin për ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Balldre.Administrata e presidencës argumenton se kjo kontratë nuk ka qenë transparente dhe është në dëm të interesit publik. Një tjetër argument për kthimin është edhe vlera për ndërtimin e rrugës. Sipas relacionit shuma e vënë në dispozicion për këtë kontratë është 213.6 mln euro, ndërsa sipas studimit vlera është vetëm 161.5 mln euro.

Projektligji për ndërtimin me koncesion i rrugës Milot-Balldre nuk është dekretuar nga presidenti Ilir Meta.

Në relacionin shoqërues sqarohet se kontrata koncesionare është hartuar, nënshkruar dhe miratuar në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës; është formuar në kundërshtim të hapur me interesin publik dhe në shkelje të parimit të konkurencës së lirë dhe të barazisë përpara ligjit; si dhe nuk ka qenë aspak transparente.

Një tjetër pikë e rëndësishme që kundërshtohet në këtë projektligj nga Presidenti është vlera e përcaktuar për ndërtimin e kësaj rruge.

Vlera totale që shteti shqiptar duhet të paguajë për ndërtimin e këtij segmenti rrugor është 213.6 mln euro, thuhet në argumentat e Presidencës, ndërkohë që referuar dokumenteve standarde të publikuara në sistemin elektronik të Prokurimeve Publike rezulton se vlera e parashikuar e projektit në bazë të studimit të fizibilitetit është vetëm 161.5 mln euro.

Nisur nga të gjitha  konstatime Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit me qëllim rishikimin tërësor të këtij ligji dhe kontratës koncesionare.

Ndër të tjera Presidenti i Republikës konstaton se projekti aktual nuk përputhet me prioritetet dhe objektivat e “Strategjisë Sektoriale të Transportit dhe Planit të Veprimit 2016 -2020”.

Vetëm më datë 17 prill 2019, është miratuar gjurma definitive e korridorit Adriatiko-Jonian nga ARRSH.

Pra gjurma e korridorit Adriatiko-Jonian është miratuar rreth 1 vit pas hapjes së tenderit të Milot-Balldren, e cila pretendohet të jetë pjesë integrale e këtij korridori sipas edhe relacionit shoqërues të ligjin përkatës të miratuar në Parlament.

Presidenti i Republikës i sugjeron Kuvendit të Shqipërisë që, rishqyrtimi i ligjit nr. 52/2019 dhe kontratës koncesionare për segmentin rrugor Milot–Balldren të bëhet pas hyrjes në fuqi të kufizimeve të vendosura nga Kuvendi, në ligjin nr. 125/2013 ‘Për koncensionet dhe partneritetin publik privat’, të ndryshuar” që sipas vullnetit të Kuvendit, do të duhet të hyjnë në fuqi në datë 1 tetor 2019. Ligji i kthyer për rishqyrtim.

Më herët Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për ndryshimet në kodin penal dhe ligjin për koncesionet dhe PPP-të.

Lexoni argumentat e plota të Kreut të Shtetit për kthimin në Kuvend të ligjit- Kliko këtu

/Ora News.tv/