Presidenti, Ilir Meta, i kërkon Edi Ramës dhe Luzim Bashës që të heqin dorë nga lufta për pushtet dhe të mendojnë për zgjedhjet e 13 tetorit, pasi sipas tij ka ende kohë për t’i kthyer shpresën evropiane qytetarëve shqiptarëve.

Madje Kreu i Shtetit sjell në vëmendje deklaratën e bërë me 27 qershor të vitit të shkuar pas konkluzioneve të këshillit të BE, i cili paralajmëronte politikën shqiptare se koha kalon shpejt dhe zgjedhjet vendore do të ishin një provim i vështirë për vendimin e negociatave.

Ilir Meta: Jo vetëm që u shpërdorua një vit pa bashkëpunim, përqëndrim e përgjegjësi, por gjithçka u përkeqësua vetëm në interes të luftës për pushtet. Por ende kemi mundësi t'i shfrytëzojmë këto ditë, për të realizuar zgjedhje në 13 tetor 2019, si një detyrim, jo vetëm ligjor, por edhe si domosdoshmëri për të mos i mbajtur zero shanset që Shqipëria t'i çelë negociatat për anëtarësim me BE në 18 tetor 2019.

Nëse Kryeministri nuk dëshiron që Presidentit të luajë rolin e negociatorit, Meta u ofron dyshes Rama-Basha ndërkombëtarët si palë për të ndërmjetësuar dialogun politik.

Ilir Meta: Duhet shfrytëzuar urgjent gatishmëria e drejtuesve të OSBE-së për të ndihmuar në tejkalimin e kësaj krize duke e pranuar këtë gatishmëri tani, me qëllim që jo vetëm të realizohen zgjedhjet vendore në 13 tetor 2019, por edhe të arrihet marrëveshja për refomën zgjedhore sa më parë.

Të gjitha alternativat sipas Kreut të Shtetit janë në tryezën politike, por nëse mazhoranca dhe opozita kërkojnë alibi, atëherë sipas tij rrezikohet që vendi të izolohet nga familja evropiane.

- 27 qershor 2018 - 
Ashtu siç kaloi një ditë, do kalojë dhe një vit

Konkluzionet e djeshme të Këshillit për Çështjet e Përgjithshme mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian duhen mirëpritur me realizëm dhe përgjegjshmëri.

Ne të gjithë duhet ta vlerësojmë dhe çmojmë vullnetin pozitiv me të cilin si Komisioni Evropian ashtu edhe të gjitha vendet anëtare, e mirëpresin procesin e integrimit të Shqipërisë dhe gjithë rajonit në BE.

Kjo qasje duhet të na nxisë për një lexim të drejtë dhe realist të sfidave serioze që kemi përpara, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.

Një vit kalon shpejt, ashtu si nga dje kaloi një ditë.

Provimi ynë i qershorit të ardhshëm do të jetë shumë i vështirë e kërkues pasi edhe vetë Bashkimi Europian do të ketë provimin e tij zgjedhor në të njëjtën kohë.

Ndaj, i ftoj të gjithë për përqendrim, përgjegjësi dhe bashkëpunim.

/Ora News.tv/