Meta krah Zaevit: Respektimi i minoriteteve, vlerë e shtuar për vendet e rajonit

Meta krah Zaevit: Respektimi i minoriteteve, vlerë e shtuar për vendet

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në koncertin festiv me rastin e Ditës Kombëtare të Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Krah kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, kreu i shtetit shqiptar tha se respektimi i pakicave dhe minoriteteve është vlerë e shtuar për të gjitha vendet e rajonit tonë.

Ilir Meta: Rajoni ynë ka kaluar shumë vështirësi dhe sfida. Është koha për më shumë bashkëpunim, respekt reciprok, bashkëjetesë dhe mirëkuptim. Respektimi i pakicave dhe minoriteteve është vlerë e shtuar për të gjitha vendet e rajonit tonë.

Ndaj le ta ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët europiane, në mënyrë që t’u lemë brezave që vijnë pas nesh një rajon më të sigurtë, më të zhvilluar, por njëkohësisht edhe mundësi më të mëdha për të jetuar në të.

Duke vënë në dukje se ky vit shënon edhe 550-vjetorin e ndarjes, jo nga jeta, “por i vulosjes së përjetësisë së Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, Heroit Kombëtar të shqiptarëve, por edhe të Europës”, Presidenti Meta nënvizoi faktin se “jeta, vepra dhe luftërat e tij janë udhërrëfyesi më i mirë për të gjithë ne, për identitetin dhe përcaktimin tonë europian.”

Ilir Meta: Ky vit, ka qenë një vit i sfidave të mëdha, por edhe i shpresave të mëdha, jo vetëm për Shqipërinë, por sidomos për Maqedoninë dhe të gjithë rajonin tonë.

Parlamenti i Maqedonisë miratoi ligjin për gjuhën shqipe që është mirëpritur nga të gjithë ne.

Marrëveshja e Prespës është një hap i rëndësishëm jo vetëm për Maqedoninë, por për të gjithë rajonin tonë. Për integrimet euro-atlantike, për paqen dhe sigurinë afatgjatë.

Presidenti i Republikës në përfundim të përshëndetjes, iu drejtua kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev: “Dua t’ju falënderoj për kënaqësinë që na dhatë për t’u ndjerë kaq mirë të gjithë së bashku!

Si dhe për kontributin tuaj për një bashkëjetesë sa më të natyrshme midis të gjithë qytetarëve në vendin tuaj, që tregon qartë se jeni një vend europian dhe ne jemi krenarë që udhëtojmë së bashku me ju dhe do të punojmë që të çelim negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian vitin e ardhshëm!”

EMISIONET