Presidenti Ilir Meta dorëzoi sot në Gjykatën Kushtetuese padinë e dytë kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Kreu i Shtetit kundërshton vendimin e qeverisë të pak ditëve më parë që i kaloi pronësinë e Teatrit Kombëtar Bashkisë së Tiranës, ndërsa thotë se akti cënon rëndë Kushtetutën.  Kreu i Shteti u pyet nga media nëqoftëse do të jetë në mbrojtje të Teatrit si në rastin e Kushtetutës ku organizoi tubimin me qytetarët, Meta tha se do të jetë gjithmonë në krye të detyrës, ndërsa kërkoi atyre që i quan karagjozë, të  mos e provokojnë.

Presidenti, Ilir Meta, është i vendosur të mbrojë Teatrin Kombëtar duke ju drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese. Këtë radhë për të pezulluar aktin normativ të qeverisë, që e kalon atë në pronësi të Bashkisë. 

Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Kreu i Shtetit thotë se akti është antikushtetues, ndërsa kërkon marrjen e një vendimi të shpejtë për të pezulluar çdo procedurë.

"Të dy këto akte, si ligji dhe vendimi i KM shprehin qartë qëllimin politik prishjen e teatrit Kombëtar. Këto akte duhen shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese dhe duhet të vendosë sa më shpejt dhe pezullimin e ekzekutimit të tyre."

Karagjozët të mos provokojnë- Por Kreu i Shtetit krahas betejës ligjore, nuk e shmangu gjuhën ultimative.  I pyetur nëse do të jetë në mbrojtje të Teatrit si në rastin e Kushtetutës ku organizoi tubimin e 2 marsit, Meta tha se do të jetë gjithmonë në krye të detyrës, ndërsa kërkoi që të mos e provokojnë.

Ilir Meta: Nuk është çështje procedurash, është çështje e nivelit kushtetues dhe askush nuk mund të fshihet pas procedurave për shkelje të Kushtetutës së Republikës, të cilat cenojnë një interes të përbashkët të qytetarëve të republikës.

Sa i takon asaj se ku do të jetë presidenti. Presidenti është në krye të detyrës në mbrojtje të kushtetutës. Do të jetë gjithnjë në krye të detyrës. Sa i takon ndonjë karagjozi që kërkon të bëjë prova force me presidentin apo dike tjetër, duhet ta kenë të qartë që presidenti sillet me përgjegjësi maksimale, mban shënim çdo gjë, i ka bërë paralajmërimet të përsëritura. 

Presidenti do të bëjë detyrën e tij pa rënë në provokime banale, dhe i ka ftuar të gjithë të menaxhojnë me përgjegjësi këtë situatë edhe të shëndetit publike, që ende vazhdon dhe probleme të ekonomisë. U ka bërë thirrje të gjithëve të përqendrohen tek 15 kushtet e BE. Nuk kemi nevojë të shtojmë kushtet të tjera.

Sjellja ndaj kësaj çështje nuk është vetëm lokale, por është çështje që monitorohet me vëmendje maksimale dhe do të kishte ndikim me përkeqësues për pozitën tonë e cila nuk është aspak për tu krenuar në raport me perspektivën e celjes reale të negociatave.

Një përgjigje e kishte edhe për kryebashkiakun Erion Veliaj.

"Cilido që nuk e ka kuptuar dhe nuk do e kuptojë ndonjëherë, që Europa nuk është thjesht vetëm euro, por në radhë të parë është kulturë, është vizion, por është dhe identitet.”

Kjo është padia e dytë që Ilir Meta dorëzon në Kushtetuese kundër shembjes së Teatrit, teksa e para ishte kundër ligjit special për ta ndërtuar me PPP-së, por që më pas Qeveria u tërhoq duke deklaruar se do të ndërtohet nga buxheti i shtetit.



/Ora News.tv/