Meta i vendosur për 8 dhjetorin: Nuk iki nga sheshi pa u kthyer shqiptarëve referendumin!

Meta i vendosur për 8 dhjetorin: Nuk iki nga sheshi pa u kthyer

Presidenti Ilir Meta u shpreh më i vendosur se kurrë për tubimin e 8 dhjetorit në Qytet Studenti, duke deklaruar se nuk do të ikë nga sheshi derisa tu kthejë qytetarëve shqiptarë të drejtën për referendum që ua njeh dhe Kushtetuta.

Në një konferencë për mediat pas takimit me Këshillin e Ambasadorëve shqiptarë, Meta tha se me këtë klasë politike populli është i pashpresë dhe referendumi është e vetmja rrugë demokratike për të shpëtuar Shqipërinë.

Ilir Meta: Nuk do të iki nga sheshi derisa ti kthejmë së bashku popullit shqiptar të drejtën e  referendumit që e ka në Kushtetutë, derisa të detyrojmë parlamentin dhe të gjithë të tjerët që të zbatojnë këtë detyrim kushtetues. Ju them të gjithë qytetarëve, me këtë klasë politike jeni të pashpresë.E vetmja rrugë për një të ardhme më të mirë është të filloni të ushtroni demokracinë direkte. Përndryshe pas disa viteve këtu nuk do të ketë më shqiptarë, do të ketë vetëm emigrantë dhe nuk e di se çfarë tjetër. Kjo është e vetmja rrugë demokratike, transparente që shpëton Shqipërinë që pas pak vitesh të mos i ndërrojnë emrin si stadiumit për qëllime komerciale. 

Kjo është e vetmja mënyrë që Shqipëria të jetë me shqiptarët, Shqipëri pa shqiptartët nuk ka dhe nuk mund të ketë. Pas 30 vitesh, klasa politike në vend që të përmirësohet ka një degradim total dhe mban zero përgjegjësi. Ka asgjësuar çdo lloj përfaqësimi politik. Në Shqipëri nuk ka më votime, ka vetëm komandime kudo. Kjo gjë do të marrë fund dhe këtë gjë do ta realizojmë të gjithë së bashku. Me 8 dhjetor, ora 12:00 në sheshin "Demokracia" në Qytet Studenti.  

Meta tha se në 8 dhjetor fillon një lëvizje e re, një Dhjetor i dytë që nuk do të përfundojë derisa populli shqiptar të fitojë të drejtën që i  ka dhënë vetes së vet me referendum para 21 vitesh.

Ilir Meta: Është bllokuar qëllimisht nga kjo klasë politike që të mos e ushtrojë atë pushtet dhe demokracinë e drejtëpërdrejtë për të vendosur për të gjitha çështjet e rëndësisë së veçantë  që ai gjykon dhe shpreh vullnetin.Kjo nuk do të thotë se mitingu i 8 dhjetorit do të jetë pa mbarim dhe do të vazhdojë një javë. Kjo do të thotë se në të gjitha sheshet e Shqipërisë kudo do të komunikojmë me popullin. Nga sot Presidenti është palë me popullin dhe referendumin dhe do të bëjë çdo gjë derisa populli të marrë në dorë fatin e tij përmes referendumi në mënyrë që populli shqiptar të mos betet më në mëshirën e partive dhe të mos jetë më viktimë e lojërave të partive. Përkundrazi, të jenë partitë nën presionin e popullit shqiptar dhe ti nënshtrohen  vullnetit të popullit shqiptar.

I pyetur nëse përmes kësaj lëvizje po kërkohet të ndryshohet ligji apo Kushtetuta, Meta u shpreh:

Ilir Meta: Kushtetuta është e qartë, ligji në zbatim të Kushtetutës dhe të vullnetit të populit shqiptar dhe pastaj do të ndërmerren dhe iniciativat për referendum. Nuk bëhet fjalë thjesht për një referendum. Nuk e zgjidh hallin e Shqipërisë vetëm një referendum, hallin e Shqipërisë e zgjidh e drejta e popullit shqiptar që sa herë ta gjykojë siç e parashikon Kushtetuta se duhet bërë një referendum ta ushtrojë këtë të drejtë. Këta ta dinë të gjitha forcat politike, kushdo që është në pushtet që nëse do të bëjnë një ligj që cënon interesat publike, cënon interesat e popullit shqiptar, populli shqiptar do ti përgjigjet me një referendum.

Për pyetjen e referendumit Meta nuk ka menduar ende, por shtoi se me  8 dhjetor do të japë një platformë më të qartë.


EMISIONET