Rreziku që i kanoset fortesës së Skënderbeut nga tërmeti i 26 nëntorit ka shqetësuar edhe Presidentin e Republikës Ilir Meta.

Për të parë më nga afër pasojat e dëmeve në Kullën e Këmbanës dhe Teqenë e Dollmës, Kreu i Shtetit është kujdesur që t’i  shohë këto dy monumente më nga afër, duke kaluar edhe perimetrin e sigurisë.

Meta: Vizitova sot Kalanë e Krujës, kurorën e krenarisë së trashëgimisë tonë kombëtare, të dëmtuar nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit.Veçanërisht Kulla e Kambanës dhe Teqeja e Dollmës, dy nga monumentet unike dhe mjaft të rëndësishme të Kalasë, kanë pësuar dëmtime shumë të rënda, për të cilat duhen marrë masa të menjëhershme për t’u riparuar dhe mbrojtur, për vetë simbolikën e fortë kulturore e kombëtare që përfaqësojnë. Puna e nisur duhet të ndiqet me përgjegjësi maksimale deri në fund!

Ilir Meta i kërkon institucioneve më shumë bashkëpunim për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë mbetur jashtë për shkak të shkatërrimit të banesave të tyre.

Presidenti nuk e ka harruar marshimin e paralajmëruar për mbrojtjen e Kushtetutës, por nuk do ta realizojë me 8 dhjetor.

Meta: Përpjekjet konkrete duhet të vazhdojnë me qëllim përmirësimin e kordinimit të të gjitha institucioneve me pushtetin vendor dhe komunitetet e prekura për të arritur zgjidhjet më optimale sa më shpejt të jetë e mundur. Presidenti mbron Kushtetutën çdo vit, por tani është koha për të bërë çdo gjë që vendi të rikthehet në normalitet sa më shpejt dhe kjo do të ndodhë kur të gjithë banorët ti kthehen normalisht jetës së tyre të para 26 nëntorit.

Gjithashtu Presidenti vizitoi edhe shtëpitë e disa familjeve në fshatin Hasanaj të Krujës , të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.

/Ora News.tv/