Takimi i presidentit Ilir Meta me Aleksandër Soros, zëvendëspresidentin e fondacionit "Shoqëria e Hapur" ka sjellë mjaft kritika dhe debate.

Përmes një reagimi në Facebook, kreu i shtetit thekson se ka qenë Soros i cili ka kërkuar takim, kjo për të sqaruar pozicionin sa i përket Reformës në Drejtësi. Madje Meta shprehet se ka pasur disa kërkesa për takim, kur presidenti bëri akuza dhe ndaj fondacionit.

"Do të ishte jo etike nga ana ime që ndërsa kam shprehur publikisht rezervat e mia për ta, t'i shmangesha një takimi të drejtpërdrejtë, për t'u shprehur këto shqetësime edhe nga afër. Për më tepër që shmangiet dhe gënjeshtrat nuk janë në karakterin tim,"- shprehet Meta.

Po ashtu kreu i shtetit nënvizon se takimi është bërë zyrtar dhe nuk ka pasur diskutim mbi minishengenin.

"Tre temat që unë jam përqendruar kanë qenë kapja e drejtësisë nga Kryeministri, përkeqësimi i lirisë së medias dhe të lirisë së shprehjes, dhe gjallërimi i shoqërisë civile në vend kundër shkeljes së të drejtave të njeriut dhe dhunimit të vlerave të demokracisë. E vetmja temë që nuk u përmend nga Zëdhënësi im ishte ajo e menaxhimit të pasojave të tërmetit,"- thuhet në reagimin e Metës.

Megjithatë presidenti në lidhje me minishengenin, shprehet se: "Çdo iniciativë rajonale është e dobishme kur është gjithëpërfshirëse e jo përjashtuese, kur udhëhiqet nga partneriteti dhe jo paternalizmi, kur sjell kohezion dhe jo konfuzion, e aq më tepër përçarje."

/Ora News.tv/