Presidenti Ilir Meta ftoi të gjithë shqiptarët ti bashkohen nesër në orën 17:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pasi “Atdheu po përjeton krizën më të thellë dhe më të rrezikshme për vetë ekzistencën e tij të shkaktuar nga ky sekt që po përdhunon kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi” sic u shpreh Meta.

Në konferencën për shtyp mbrëmjen e sotme ku denoncoi ligjin për devidentin si rastin më flagrant ku qeveria dhe Parlamenti kanë dhunuar Kushtetutën, Meta akuzon Ramën se në interes të UDB-së synon të krijojë probleme jo vetëm në Shqipëri por dhe të gjithë shqiptarëve në rajon. 

Ilir Meta: "Të gjithë shqiptarët e kanë të qartë, misioni i Gruas së Bilalit është një mision thellësisht përçarës jo vetëm brenda vendit dhe shkatërrues sa i takon shtetit ligjor, sic e shikoni këtu, në Gjykatën Kushtetuese, me shkatërrimin e reformës në drejtësi dhe pandëshkueshmërinë e ministres së padrejtësisë dhe të gjithë sektit në krye të kësaj ministrie, që dhunon e rrëmben e vjedh anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Një nga objektivat kryesore të tij në interes të organizatës ndërkombëtare që përfaqëson është të krijojë problem të shqiptarëve në rajon, jo vetëm në Shqipëri.  

… Të mos e provokojë më atë për llogari të shefave të vet në Serbi e vende të tjera që bëjnë lojrat e UDB-së se mund ta marrë përgjigjen nga Shqipëria. Ne nuk mund të pranojmë lojra të tilla, përcarëse të qëllimshme e provokuese si këto lojra që bën Gruaja e Bilalit. “

 Gjatë fjalës Meta përmendi dhe Esat Pashë Toptanin, për të kujtuar se çfarë fundi kanë tradhëtarët.

Ilir Meta: "Janë bërë 100 vjet që shqiptarët janë ndarë nga Esat Pashë tradhtari dhe sa të ketë Shqipëri dhe shqiptarë,  Esat Pashë Tradhtari, njeriu më i pasur i Shqipërisë para 100 vitesh, që çdo muaj merrte pagesa nga të gjithë armiqtë e Shqipërisë, për të shkatërruar funksionimin e shtetit të Shqipërisë dhe pavarësisë, nuk e ka një varr dhe nuk e ka për ta pasur kurrë, sa të ketë Shqipëri. Secili duhet ta dijë kufirin e vet, sepse secili mund të jetë një anëtar i një organizate ndërkombëtare mafioze, por të gjithë shqiptarët e ndershëm janë anëtarë të një organizate patriotike që quhet Shqipëri."



/Ora News.tv/