Presidenti, Ilir Meta, i ka kthyer Kuvendit paketën antishpifje, duke e cilësuar në shkelje të Kushtetutës dhe Konventave Europiane. Presidenti argumenton se ky ligj nuk sjell rregullimin e pritshëm,  ndërsa sipas tij kërcënon lirinë e fjalës. 

 "Nga sot të gjithë shqiptarët do ta dinë që kanë në dispozicion një instrument që do ta vënë në punë pas vitit të ri se presidenti do na e kthejë para vitit të ri," deklaroi Rama me 18 dhjetor, pas seancën plenare.

Ditën kur Kuvendi e miratoi paketën antishpifje, Kryeministri e paralajmëroi  vendimin e Presidentit, dhe ky i fundit nuk nguroi që ta kthente për shqyrtim në Kuvend, duke e cilësuar si antikushtetuese.

Meta: Ky ligj, për shkak të këtyre dispozitave shumë problematike, jo vetëm që nuk sjell rregullimin e pritshëm, por për disa çështje thelbësore ai bie ndesh me parimet dhe normat kushtetuese.

Kreu i Shtetit  e cilëson të papranueshme delegimin e kompetencave Këshillit të Ankesave, në varësi të autoritetit të medieve dhe vendosjen e gjobave pa kaluar në gjykatë.

Meta: Në këtë mënyrë çdo operator që operon në fushën e medias dhe publikimeve elektronike me të drejtë do të ndihej i kërcënuar dhe i pasigurtë në ushtrimin e aktivitetit të tij duke patur në mënyrë të vazhduar frikën se për çdo shkrim apo publikim, mund të ketë një ankesë e cila do të vlerësohej nëpërmjet kritereve të caktuara jashtë ligjit.

Me tej Presidenti argumenton se ligji shkel të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit.

Meta: Hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve do të krijojë një mjedis arbitrar dhe të pasigurtë ndaj operatorëve mediatikë elektronikë, për shkak të trysnisë së aplikimit pa kriter dhe subjektiv të masave ndëshkuese dhe shproporcionale që parashikon ligji i miratuar.

Kreu i Shtetit thotë se ligji i cili solli shumë debat por dhe ngjalli kundërshti të organizmave ndërkombëtarë, përveç Kushtetutës bie ndesh edhe me Konventën  Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe nuk është në frymën dhe parimet e vendosura në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. 

 

Nr. Dekreti 11414
Tiranë, më 11.01.2020

 

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

 

ILIR META

 

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 92/2019

 

“Për  disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918 datë 19.5.2008, “Për  komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”

 

Të nderuar deputetë,

 

Kuvendi  i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 18 dhjetor 2019, ka miratuar  ligjin nr. 92/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918  datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e  Shqipërisë”, të ndryshuar”.

 

Me  shkresën nr. 4490 prot., datë 26.12.2019, të Kuvendit, administruar në  Institucionin e Presidentit të Republikës me nr. 5081 prot., datë  26.12.2019, ky ligj është përcjellë për dekretim e shpallje.

 

Sipas  praktikës parlamentare të publikuar, rezulton se ky projektligj është  pjesë e paketës ligjore e quajtur publikisht si “paketa antishpifje” dhe  është hartuar fillimisht nga një grup pune, me përfaqësues të  Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë,  si dhe ekspertë të fushës.

 

Nga  shqyrtimi i praktikës parlamentare mbi propozimin, shqyrtimin dhe  miratimin e projektligjit, si dhe përmbajtjes së dispozitave të ligjit  nr. 92/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918 datë  19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të  ndryshuar”, të miratuar, konstatohet se sipas relacionit të Këshillit të  Ministrave dhe Raportit të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e  Informimit Publik, në cilësinë e komisionit përgjegjës për shqyrtimin e  projektligjit, ky ligj ka si qëllim reflektimin e ndryshimeve të  propozuara dhe të miratuara tashmë në ligjin nr. 91/2019 “Për disa  ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në  Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, në lidhje me rregullimin e  shërbimeve të publikimeve elektronike.

 

Nga  shqyrtimi paraprak i faqes zyrtare të internetit të Kuvendit të  Shqipërisë, konstatohet paraprakisht se Kuvendi, nuk ka publikuar deri  më tani, përmbajtjen e akteve ligjore të “paketës antishpifje” të  miratuar prej tij, si ligjin nr. 91/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa  në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e  Shqipërisë” të ndryshuar”, ashtu dhe ligjin nr. 92/2019 “Për disa shtesa  dhe ndryshime në ligjin nr. 9918 datë 19.5.2008, “Për komunikimet  elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, të miratuara  njëkohësisht në datën 18.12.2019.

 

Kjo  përbën një mungesë transparence të theksuar përkundrejt publikut dhe  është me vend që të evidentohet në këtë relacion arsyetues.

 

Nga  shqyrtimi i përmbajtjes së ligjit nr. 92/2019, rezulton se ai është i  përbërë nga katër nene përmes të cilëve realizohen shtesa e ndryshime në  dispozitat e ligjit aktual, kryesisht për të vendosur në ekzekutim  vendimet e marra nga Këshilli i Ankesave dhe Bordi i AMA-s, që përmbajnë  sanksione apo masa administrative shtrënguese që vendosin këto organe  administrative, përkundrejt ofruesve të shërbimeve të publikimeve  elektronike on-line.

 

Konkretisht,  nëpërmjet neneve 3 dhe 4 të ligjit nr. 92/2019, Autoritetit të  Komunikimeve Elektronike dhe Postare, si autoriteti përgjegjës që  administron domain cc.TLD.al, i jepet kompetenca ligjore të zbatojë  vendimet e organeve të AMA-s, duke detyruar njëkohësisht ofruesit e  shërbimeve të aksesit në internet që të zbatojnë këto vendime.

 

Konkretisht në këto dispozita parashikohet shprehimisht se:

 

Neni 3

 

Në nenin 12, pas pikës 2 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:
“3.  AKEP-i bashkëpunon me AMA–n në përputhje me parashikimet e këtij ligji  dhe dispozitave të tjera nënligjore, si dhe siguron zbatimin e vendimeve  të Këshillit të Ankesave dhe organeve të tjera të AMA-s, duke detyruar  ofruesit e shërbimeve të aksesit në internet të zbatojnë aktet/vendimet  përkatëse të këtyre autoriteteve, sipas afateve dhe procedurave të  parashikuara në legjislacionin në fuqi”

 

Neni 4

 

Në nenin 137, në fund të kreut V, pas pikës 19 shtohet pika 20 me këtë përmbajtje:
“20.  Nuk zbatojnë urdhrat/vendimet e AKEP-it, që lidhen me zbatimin e  akteve/vendimeve të Këshillit të Ankesavedhe të AMA-s apo të nxjerra nga  çdo organ tjetër me kompetenca ligjore në këtë fushë, sipas nenit 4, të  këtij ligji.”

 

Sipas  përcaktimeve të mësipërme, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe  Postare do të shërbejë si segmenti fundor i forcës shtrënguese të  procesit të marrjes së masës administrative nga AMA, si mjeti nëpërmjet  të cilit, do të zbatohen vendimet e miratuara prej orgnave të saj  (Këshilli i Ankesave, Bordi).

 

Për më  tepër, përmes nenit 4 të ligjit nr. 92/2019, AKEP-it i jepet kompetencë  që në rast se ofruesi i shërbimeve mediatike nuk zbaton  urdhrat/vendimet e AKEP-it, që lidhen me zbatimin e akteve/vendimeve jo  të formës së prerë të Këshillit të Ankesave dhe të Bordit të AMA-s apo  të nxjerra nga çdo organ tjetër me kompetenca ligjore në këtë fushë,  sipas nenit 4, të këtij ligji, atëherë personi juridik privat do të  ndëshkohet me gjobë në shumën prej 1 000 000 lekë.

 

Pra,  përmes kësaj dispozite, forca shtrënguese përkundrejt ofruesve të  shërbimeve mediatike të publikimeve elektronike rritet nën mbikqyrjen e  njëpasnjëshme të dy organeve.

 

Në referim të qëndrimit të mbajtur në arsyetimin e Dekretit nr.11413, datë 11.01.2020,  të Presidentit të Republikës, për kthimin për rishqyrtim të ligjit nr.  91/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat  audiovizive në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, bëhet e  detyrueshme që ligjvënësi bashkarisht me shqyrtimin e ligjit nr.  91/2019, të rishqyrtojë edhe ligjin nr. 92/2019, pasi këto dy akte të  reja ligjore janë pjesë e së njëjtës paketë të lidhura procedurialisht  dhe materialisht me njëra- tjetrën.

 

Nëse  Kuvendi i Shqipërisë, do të shqytojë e miratojë Dekretin nr. 11413,  datë 11.01.2020, për kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 91/2019 “Për  disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive  në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, kjo gjë ndikon dhe bën të  detyrueshme rishikimin dhe reflektimin e qëndrimit edhe në ligjin nr.  92/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918 datë  19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” të  ndryshuar”.

 

Në arsyetimin e kthimit  të ligjit nr. 91/2019, Presidenti i Republikës ka parashtruar argumenta  mbi domosdoshmërinë e rishikimit nga Kuvendi të sanksioneve financiare,  mënyrës së vendimmarrjes, organit që ka të drejtë të marrë vendimin, si  dhe mbi mënyrën e ekzekutimit të këtyre sanksioneve, apo të masave të  tjera ndëshkuese.

 

Shqetësimet  për përhapjen e lajmeve të rreme, apo ndikimit negativ të  dezinformimit, duhet të adresohen në mënyrë të tillë që çdo mjet ligjor  mbrotjës ndaj këtyre fenomeneve të mos rrezikojë në asnjë rast, të  vendosë në disbalancë, apo të krijojë rrezikun e keqpërdorimit të këtyre  mjeteve ligjore për të cenuar të drejtën për informacion, lirinë e  shprehjes dhe të medias apo dhe lirinë për veprimtari ekonomike, të  drejta këto që gëzojnë mbrojtje të posaçme nga Kushtetuta dhe aktet  ndërkombëtare.

 

Ndërsa  delegimi me ligj një organi administrativ i kompetencave që Kushtetuta  nuk ia lejon, mungesa e transparencës në procedurën e vendimmarrjes, dhe  aplikimi i sanksioneve disproporcionale dhe pa kaluar në shqyrtimin  gjyqësor, nuk është në balancë mes interesit publik për mbrotjen nga  lajmet/informacionet e rreme, dhe të drejtës për informim, lirisë së  shprehjes dhe zhvillimit të aktivitetit ekonomik në fushën e publikimeve  elektronike.

 

Në këtë logjikë, edhe  nenet 3 dhe 4 të ligjit nr. 92/2019, do të duhet të rivlerësohen në  kuadër të rishqyrtimit nga ana e Kuvendit të Shqipërisë të dispozitave  respektive të ligjit nr. 91/2019, lidhur me masat ndaj ofruesve të  shërbimeve mediatike në rastet e shkeljes të dispozitave ligjore.

 

Përsa  më sipër, me qëllimin e vetëm përmirësimin e këtij ligji në përputhje  me parashikimet kushtetuese dhe aktet ndërkombëtare dhe në harmoni me  dispozitat e ligjit nr. 91/2019, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim  të neni 85 pika 1 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit  nr. 92/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918 datë  19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” të  ndryshuar”, në mënyrë që të rivlerësohet së bashku me ligjin nr.  91/2019, prej të cilit kushtëzohen ndryshimet, me qëllim përfshirjen e  rregullave strikte për ngritjen e funksionimin e organeve administrative  të pavarura, rivlerësimin e nivelit të masave administrative të  parashikuara në analizë të realitetit ekonomik në të cilin janë ngritur e  funksionojnë ofruesit e shërbimit të medias, rishikimit të procesit të  vlerësimit dhe marrjes së masave administrative dhe ekzekutimit të tyre,  si dhe rivlerësimin e efektit të drejtpërdrejtë që do të kenë në  përditshmërinë e punës së ofruesve të shërbimit mediatik elektronik nga  parashikimet e reja ligjore.

 

Me respekt,

 

Ilir Meta


/Ora News.tv/