Meta i dorëzon flamurin ekipit shqiptar që do marrë pjesë në Lojërat Olimpike

Presidenti Ilir Meta i dorëzoi sot (21 shtator) flamurin e kombëtar ekipit dhe delegacionit zyrtar shqiptar që do përfaqësojnë Shqipërinë në edicionin e tretë të Lojërave Olimpike Rinore “Buenos Aires 2018.

Gjatë ceremonisë, Meta tha se në këto Lojëra Olimpike ekipi shqiptar ka mundësinë të arrijë rezultate mbresëlënëse.

Ilir Meta:Dua t’iu shpreh fjalët më të mira, njëkohësisht edhe besimin në performancën tuaj të pritshme, që jo vetëm do t’ju rrisë ju si sportistë në këto sporte të bukura dhe të vështira, por urojmë që të ngrejë më lart autoritetin e vendit tonë në arenën sportive ndërkombëtare. 

Me këtë rast ju uroj të jepni më të mirën, energjinë tuaj dhe aftësitë tuaja në garat ku ju do të garoni. Rezultati është njëra anë e suksesit tuaj, por kujtoni gjithmonë, që sporti është një element i çmuar dhe i pazëvendësueshëm që na ndihmon në rritjen e identitetit kombëtar, për të qenë gjithashtu sportistë të mirë dhe qytetarë të devotshëm."

Presidenti ia dorëzoi Flamurin boksieres Elsidita Selaj, flamurmbajtëses së ekipit të të rinjve shqiptarë.

Elsidita Selaj: "Është një nder i madh të mbaj Flamurin Kombëtar dhe së bashku me shokët e skuadrës të përfaqësojmë shtetin tonë në Lojërat Olimpike Rinore. Shpresoj të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze që të kthehemi me rezultate sa më të larta."

Sportistët shqiptarë do të garojnë në disiplina të ndryshme si boks, peshëngritje, atletikë dhe not.

Lojërat Olimpike Rinore “Buenos Aires 2018” do të zhvillohen në Argjentinë nga data 6 deri më 18 tetor 2018.


EMISIONET