Meta: Humbja e jetës së mjekut Pushi e dhimbshme, të respektohen masat, rreziku s'ka kaluar

Për Presidentin Ilir Meta humbja e jetës së mjekut Arjan Pushi nga Covid-19, është tepër e dhimbshme dhe shokuese.

Përmes një postimi në Facebook, Meta apelon se është nevoja për të forcuar përqëndrimin e të gjithë institucioneve për respektimin me rigorozitet të protokollet shëndetësore, pasi rreziku nuk ka kaluar.

Postimi i Metës në Facebook

''Tepër e dhimbshme dhe shokuese humbja e jetës së Profesorit të nderuar të Universitetit të Mjekësisë, Doktor Arjan Pushi, hematologut të shquar me një kontribut të spikatur në dekada në sistemin tonë shëndetësor.

Kjo është humbja e parë e jetës nga mantelbardhët tanë, të cilët prej disa muajsh po ndeshen në vijën e parë me këtë pandemi, që tregon se jo vetëm rreziku nuk ka kaluar, por çdo nënvlerësim do të jetë me pasoja tepër serioze për shëndetin, jetën dhe ekonominë.

Ndaj apeloj nevojën për të forcuar përqendrimin e të gjithë institucicioneve për respektimin me rigorozitet nga të gjithë të protokolleve shëndetësore, si dhe përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të garantuar me përgjegjësi dhe transparencë të gjitha masat mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe personelin e tyre mbështetës, të cilët rrezikojnë shëndetin e tyre për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve ne.

Ngushëllimet më të ndjera familjes Pushi, të afërmve dhe kolegëve të Profesorit, për këtë humbje të madhe të pazëvendësueshme!''

Pushi është viktima e parë në radhët e bluzave të bardha në vendin tonë që prej shfaqjes së koronavirusit.

Prof. Arjan Pushi ka patur një karrierë të spikatur në fushën e hematologjisë dhe ka përgatitur shumë breza studentësh të Mjekësisë.


EMISIONET